Masat për zbutjen e gjendjes së krijuar pas shfaqjes së gripit pandemik, kanë vazhduar sot në qytetin e Vitisë.
Për familjet me gjendje të rrezikuar financiare janë shpërmdare edhe 143 pako me ushqime dhe miell, në kuadër të fazës së tretë të veprimit.
Këto të mira materiale janë siguruar nga Komuna e Vitisë përmes donatorëve të ndryshëm. Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim po vazhdon të mbështesë me gjëra ushqimore, artikuj higjienik si dhe me patate, bukë dhe miell familjet në asistencë sociale si dhe ato që ndërkohë iu është rënduar statusi social, për shkak të rrethanave të reja të krijuara në këtë kohë.
Ndërkohë në disa pjesë të qytetit ka vazhduar pastrimi dhe klorifikimi i rrugëve, trotuareve dhe shesheve si dhe i Stacionit Policor në Viti dhe nënstacionit Policor në Pozheran si dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë falënderuar dhuruesit pa dallim dhe të gjithë që po i kontribuojnë situatës. Ai poashtu u shprehu mirënjohje pjesëtarëve të Njësisë Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim për punën e palodhshme që po bëjnë.