Në moshën 49 vjeçare ka ndërruar jetë Xhevat Shabani, një emër i njohur i fushës së sportit në Gjilan dhe me gjerë. Kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë në sportin e karatesë. Së fundi ishte njëri ndër trajnerët e Klubit të Karatesë “Elita” nga Gjilani dhe anëtar Bordi në Federatën e Karatesë së Kosovës. Në sportin e karatesë ka pas gradën V DAN.
Si një nëntëvjeçar ka filluar rrugëtimin e tij në këtë sport, për të qenë më vonë edhe garues i shkëlqyer e suksesin e tij më të madh e ka dhënë nga prizmi i trajnerit të karatesë.
Pra, ai ka lënë gjurmë të pashlyer në sportin e karatesë, si trajner i palodhshëm, pasi me gjenerata kanë kaluar nëpër duart e tij, e që sot janë ndërtuar si karateistë të suksesshëm, e që shumë prej tyre, gjokset i kanë pasur të stolisur me medalje, në turne të ndryshme, fal edhe të njohurive të marra, pikërisht nga, tani më i ndjeri Xhevat Shabani.
Shabani ishte shumë i dashur për ata të cilët ishin mishëruar me sportin e karatesë, e veçmas garuesit që merrnin pjesë në gara të ndryshme, Karateja gjilanase por edhe ajo kosovare, humbi një punëtor të zellshëm, një trajner të shkëlqyeshëm të karatesë, por që emri i tij do të ndritë përherë, kurdo që do të flitet për karatenë si sport.
Ngushëllime familjarëve të tij i kanë shprehur edhe drejtuesit dhe nxënësit e klubit të Karatesë “Elita”, ku i ndjeri ishte njëri nga trajnerët.
Shpirti i tij human dhe dashuria e madhe për atdheun e ka bërë të çmuar edhe në sfera tjera. Kur atdheu pati nevojë, ai iu bë ushtar, duke qenë pjesë edhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së)
Përndryshe, për ndarjen nga kjo jetë e të ndjerit Xhevat Shabani kanë njoftuar familjarë të tij.
***
Të allahut jemi dhe tek ai kemi për tu kthyer
Familjarë, miq e dashamirë, me pikëllim e dhimbje të thellë ju njoftojmë se sapo ka ndërruar jetë sot më datën 4 nëntor 2019 (ditë e hënë) vëllau ynë Xhevat Shabani, Allahu e mëshiroftë shpirtin e tij.
Varrimi i të ndjerit bëhet nesër më datën 5 nëntor 2019 (ditë e marte) me namazin e drekës në varrezat e qytetit Gjilan, thuhet në njoftimin e familjarëve.