Është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit në moshën 88-vjeçare shkrimtari Ismail Kadare, kolosi i letrave shqiptare dhe autor i shumë veprave dhe poemave të përkthyera në shumë gjuhë të botës.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe në karrierën e tij ka qenë akademik, politikan dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Kadare është shquar për prozat e tij, por kontribuoi edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime, raporton RTSH.
Ismail Kadare ishte autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Kadaresë është përkthyer në rreth 45 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj.
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare është nderuar në Itali. me çmimin Lerici Pea.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”, bëjnë të ditur mediat në Shqipëri.
RTKlive