Talenti kosovar në radhët e Mançester Junajtedit, Adnan Januzaj është nën vëzhgim të rreptë nga Juventusi, që dëshiron të përsërisë një transferim të ngjashëm me atë të Paul Pogbës.
Talenti kosovar po bind me paraqitjet e tij në Ligën Premiere dhe kjo nuk ka kaluar pa rënë në sy nga “Zonja e Vjetër” që kërkon të përfitojë nga fërkimet e lojtarit me klubin ku kërkon më shumë hapësira.
Gjithsesi, këtë herë Juventusi nuk mund të punojë në hije, duke parë përfitimet që ka marrë nga blerja e Pogbës për vetëm 1.5 milionë euro. Sipas “Daily Mail”, bardhezinjtë kanë nisur të lëvizin konkretisht për talentin 18-vjeçar me pasaportë belge, i cili shihet edhe si pasardhësi i Rajan Gigsit në radhët e “Djajve të Kuq”.
Mojes nuk është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë serioze, gjë të cilën synon ta bëjë Marota edhe pse lojtari ka një kontratë që e lidh me klubin anglez deri në vitin 2015.
Nga kjo situatë përpiqen të përfitojnë edhe Barcelona e Mançester Siti, klube të cilat përpiqen të shqetësojnë Juventusin menjëherë sapo janë informuar që lojtari nuk e ka pranuar rinovimin e kontratës me Junajtedin.