Zyra për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është pothuajse jofunksionale si rrjedhoje e disa faktorëve dhe si e tillë në të duhet intervenuar me urgjencë. Në zyrë që nga themelimi i saj nuk është investuar asgjë, pos një mini aktivitet me vlerë prej 250 euro.
Kështu është shprehur Mefail Junuz, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit që vije nga Lëvizja Qytetare Vatra. Sipas tij, nuk është investuar as në nevojat e saj fizike, si: furnizim me karrige, me material hargjues, etj. Ka 3 vjet që është funksionalizuar dhe që ende nuk është bërë përzgjedhja e stafit të saj.
Junuzi ka thënë se ajo mbahet me një punëtor me kontratë në vepër, ku është shumë e vështirë të punohet, pasi që nevojat e saj i mbulon vetë punëtori me rrogën e tij, e të cilën duke qenë me kontratë në vepër e merr me vonesa të mëdha, dhe si rezultat i kësaj gjendje kjo zyre është po thuajse e dalë nga funksioni.
“Si mos të mjaftonte gjithë kjo gjendje e mospërkrahjes, kjo zyre u dëmtua edhe me një vendim skandaloz të ish ministri të brendshëm z. Skënder Hyseni, I cili me një urdhër ndaloi pajisjen me letërnjoftime të përkohshme të Luginasve që nuk kanë dokumente valide nga Serbia, e kjo bëri që me qindra qytetarë të mbesin pa letërnjoftime dhe pa identitet”, ka thënë Junuzi i Vatrës.
Ai shtoi se është urgjente që të intervenohet në këtë zyre dhe t’i jepen kompetenca më të mëdha, sepse në të kundërt, nuk ka nevojë si e tillë të funksionojë, pasi që, edhe nëse akademikë vendosen në drejtimin e saj, zor se mund të tregonin ndonjë rezultat.