Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Bruksel me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe komisionerja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë / zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u bisedua për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, për procesin e liberalizimit të vizave dhe për zhvillimet tjera.
Presidenti i KE-së, Juncker, ka përgëzuar për progresin e arritur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Presidenti Juncker, po ashtu, theksoi përkrahjen e KE-së për Kosovën në proceset e tjera eurointegruese
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, për hapat që po ndërmerren në zhvillimin ekonomik dhe reformat tjera për fuqizimin e gjithanshëm të shtetit.
Kryeministri Mustafa veçoi rëndësinë që ka për Kosovën hyrja tashmë në fuqi e MSA-së, duke theksuar pritjet legjitime të qytetarëve të Kosovës për liberalizimin e vizave.
“Qeveria e Kosovës ka punuar me përkushtim maksimal në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe rekomandimeve për këtë proces. Qytetarët e Kosovës e meritojnë që sa më parë t’iu mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian, të drejtë që e gëzojnë të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të rajonit. Sa i përket liberalizmit të vizave tashmë presim vetëm vendimin e BE-së”, tha kryeministri Mustafa.
Gjatë takimit, është biseduar edhe për vazhdimin e procesit së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.