(2L ONLINE) – Jonuz Hasani i vetmi republikan që pati në përbërjen e saj, Kuvendi Komunal i Gjilanit, nga sot ka braktis subjektin Lëvizja Republikane, për të kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Ndonëse nuk u tha nga Aliu, ky kalim i Hasanit në LDK, në njëfarë mënyre i ka dhënë fund edhe koalicionit mes LDK e Lëvizjes Republikane. Kjo Lëvizje ishte partnerja më besnike e LDK-së dhe e vetmja që ishte në koalicion parazgjedhor.
Të sapoardhurit në LDK, Jonuz Hasanit, librezën partiake ja dorëzoi Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, i cili me këtë rast tha se ky grupim politik tani e tutje do ti ketë 14 këshilltarë në asamblenë komunale të Gjilanit.
Aliu me këtë rast ka thënë se kalimi i Hasanit në LDK dëshmon se LDK-ja është parti serioze. Ai tha se Hasani ka treguar me këtë rast besim në LDK dhe ne programin e saj, besim që paraqet vlerë të lartë dhe të çmuar
“Rritja e LDK-së po vazhdon, besojmë në qëllimin e mirë të kësaj rritje dhe se me këtë rritje LDK po forcohet. Sa më e fortë LDK , aq më e fortë edhe shpresa, sikur te ne, po ashtu edhe te qytetarët e Komunës së Gjilanit, për jetësimin e programit tonë”, ka thënë Aliu.
Nga ana e tij, Jonuz Hasani tha se po i bashkohet një partie të madhe, një partie të shpresës që ka vizion dhe se ndihet rehat në këtë. Ai tha se bashkimi me LDK ka qenë i vullnetshëm, pa kurrfarë kushti a interesi, por vetëm të punojë krahas të tjerëve në këtë subjekt, për të mirën e qytetarëve të Komunës së Gjilanit.
I pyetur nga 2L ONLINE, se a do të thotë kjo fund edhe i koalicionit me republikanët, partnerët më besnik të LDK-së, shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu nuk ishte i qartë në përgjigje, por vetëm tha se çdo kush synon më të mirën dhe, edhe në LDK synojnë më të mirën./2L ONLINE/