Shkruan: Florim Zeqa
Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojë që Serbia të mbajë referendum kushtetues në Kosovë, për faktin se referendumi kushtetues i Serbisë nënkupton ushtrimin e sovranitetit shtetëror në vendin tonë. Referendumi i Serbisë në Kosovë është atak i drejtpërdrejtë politik ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë.
Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës së 17 shkurtit 2008 e këndej, Serbisë në vazhdimësi, nga secila qeveri i është mundësuar mbajtja e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, por e njëjta e drejtë iu është mohuar shqiptarëve të Luginës që të votojnë për zgjedhjet nacionale në Kosovë!
Si pasojë e këtyre lëshimeve, sot shteti serb provokon edhe me mbajtje të Referendumit (anti) kushtetues në shtetin tonë!
Mbështetur në “praktikat” e mëparshme të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, shtetet e QUINT-it i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës për lejimin e organizimit të procesit të votimit në përputhje me “praktikën” e mëhershme!
Pas mbështetjes së referendumit, gjegjësisht agresionit politik serb nga shtetet e QUINT-it, Qeveria dhe populli i Kosovës ndodhet para një sfide të madhe!
Referendumin e shtetit serb në Kosovë fillimisht e mbështeti përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borelli, pastaj Shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara) dhe Bashkimi Evropian, të cilat i kanë bëre thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në referendumin e Serbisë!
Na mbetët të shpresojmë që Institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca edhe përkundër presionit ndërkombëtar nuk do të lëkunden nga qëndrimet për mos lejimin e organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë.
Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, përveçse poshtërim të institucioneve tona shtetërore, përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare.
Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër.
Një akt i tillë eventual paraqet shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, të njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës dhe vulosur nga GJND-ja!
Meqë është kështu, pse u dashka ne të lejojmë mbajtjen e referendumit të një shteti tjetër brenda territorit të shtetit tonë?!
Arsye shtesë për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë është fakti tjetër i pamohueshëm dhe pakontestueshëm nga bashkësia ndërkombëtare, se në Kushtetutën e shtetit të njohur ndërkombëtarisht nuk përmendet fare Referendumi si instrument demokratik, prandaj si i tillë është antiligjor dhe antikushtetues.
Motivet e Serbisë për mbajtje të referendumit në Kosovë janë puro politike, për këtë arsye ajo insiston që t’i hapë vendvotimet në Kosovë, sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj dëshiron që përmes referendumit të dëshmoj në praktikë ushtrimin e sovranitetit të saj mbi Kosovën.
Vërtetë është për keqardhje qëndrimi i shteteve të Quint-it. Në vend që t’i parandalojnë veprimet e vazhdueshme të Serbisë në minimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe shtetësisë së Kosovës ato po e bëjnë të kundërtën!
Tani kur është në pyetje sovraniteti dhe integriteti i shtetit tonë nuk ka ndarje partiake, nuk ka ndarje pozitë-opozitë, por duhet të bëhen bashkë të gjitha partitë parlamentare për t’i thënë JO referendumit serb në Kosovë.
Pavarësisht presionit të paparë ndërkombëtarë në përkrahje të referendumit (invazionit politik) serb, kësaj radhe nuk guxojmë të tërhiqemi nga qëndrimet e përbashkëta për mosmbajtje të referendumit një etnik (serb) në shtetin multietnik.
Me unitetin tonë duhet ta bindim bashkësinë ndërkombëtare se jemi të vendosur në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe të drejtës natyrore për të qenë të lirë dhe të pavarur.
Kalimi me sukses i kësaj sprove politike nga institucionet shtetërore dhe partitë politike, do t’i detyrojë zyrtarët perëndimorë që të ndërrojnë qasjen ndaj zhvillimeve të mëpastajme politike, për faktin se ky mund të jetë një eksperiment i planifikuar i ndërkombëtarëve për ta testuar vendosmërinë dhe përkushtimin tonë në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit me legjitimitet ndërkombëtar.
U bëjë thirrje të zgjedhurve të popullit pa dallime partiake, që në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovë e të ngrisin zërin të gjithë kundër referendumit serb, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të tyre.
Prandaj, jo vetëm përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, deputetët, liderët partiakë dhe politikanët, por të gjithë njëzëri duhet t’i themi JO referendumit serb në Kosovë! /2LONLINE/