/2L ONLINE/ – Ndonëse pushtetarët e kanë vlerësuar si model për tërë Kosovën, Kampusin e shkollave të mesme në Gjilan, njëra prej fazave e të cilës, veç është përuruar, megjithatë për mësimdhënësit e shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai”, për punëtorët administrativ dhe ata teknik të kësaj shkolle, duket të mos jetë, një zgjidhje e mirë, pasi hyrjen e shkollës të shfrytëzuar nga ta deri më tani e kanë të mbyllur, dhe duhet ta shfrytëzojnë atë të Gjimnazit, për t’i ra rreth e rrotull, që të hyjnë brenda.
Revolta e tyre duket se nuk po gjen mirëkuptim as në DKA, të cilës iu është kërkuar që së paku për mësimdhënës, punëtorët administrativ dhe teknik, të hapen dyert aty ku ishin, dhe kjo ka bërë që kjo revoltë në ditët në vijim të mund të përshkallëzohet edhe me protestë a grevë. Duket se kjo çështje është lënë për diskutim në mbledhjen e sindikatës së shkollës, për t’u marrë aty një vendim final.
Megjithatë, sot simbolikisht ka protestuar para hyrjes së dikurshme, ku sot ndodhen grilat dhe dera e mbyllur, Mehmet Shaqiri, njëri nga profesorët e kësaj shkolle. Ai ka bërë me dije se të gjitha shkollat tjera kanë hyrje të veçantë për mësimdhënës vetëm “Mehmet Isai”, jo.
“Nëpërmjet kësaj hyrje, kam ardhur në shkollë dhe jam futur brenda në objekt, që nga viti 1987 dhe e vlerësojë të pakuptimtë pse tani pas 29 vitesh, nuk më lejohet një gjë e tillë”, ka thënë Shaqiri për Portalin 2LONLINE. Ai tha se janë 64 punëtorët të këtij institucioni që e kanë nënshkruar një kërkesë të tillë, për lejim të qasjes në hyrjen e mëparshme të shkollës, por duket se ajo ka hasur në vesh të shurdhër në Drejtorinë Komunale të Arsimit. “Duke na injoruar DKA, nuk bënë zgjidhje por veç nxit revoltë dhe nëse nuk hapen dyert për ne, shumë shpejtë mund të priten edhe reagime më radikale tonat, duke mos përjashtuar protestë e grevë”, ka thënë Mehmeti.
Ai tha se kjo hyrje duhet të jetë e disponueshme edhe për çështje të sigurisë dhe hapja e saj assesi nuk prish dhe nuk ndërhyn në projektin e Kampusit të shkollave të mesme. Mehmeti, që është profesor i lëndëve elektroteknike, në këtë shkollë, shpreson se DKA do të tregohet e arsyeshme dhe jo kryeneçe e injoruese si deri më tani, përndryshe reagimi radikal i punëtorëve, arsimor, të administratës dhe të atyre teknik do të jetë i pashmangshëm, sipas tij. Mësohet se Sindikata e punëtorëve të kësaj shkolle neser do ta ketë takimin e radhës ku do të diskutohet pikërisht për këtë çështje. /2L ONLINE/