Dy persona janë arrestuar në fshatin Kuk të Dragashit, pasiqë të njëjtit dyshohet se nëpërmjet Facebook-ut, duke u paraqitur si femër kanë tentuar t’i marrin viktimës 800 euro, ose në të kundërtën do t’i bënte publike bisedat komprometuese.
Sipas raporteve hetimore, thuhet se njëri nga të dyshuarit i kishte shkruar viktimës në “FaceBook” dhe ishte paraqitur si femër duke tentuar ta joshte seksualisht. Pas disa bisedave i dyshuari i kishte kërkuar viktimës 800 euro para në dorë ose në të kundërtën do t’i bënte publike bisedat komprometuese.
“Lidhur me këtë, viktima ka kërkuar ndihmën e policisë, të cilët, pasi e kanë njoftuar prokurorin e shtetit, kanë marrë pëlqimin edhe të gjyqtarit të procedurës paraprake. Të dyshuarit pasi janë mbajtur nën vëzhgim, janë arrestuar gjatë marrjes së parave në vendin ku ishte caktuar nga ana e tyre. Policia ka kryer bastisje në dy shtëpi, me ç’rast janë sekuestruar një kompjuter dhe pesë telefon celularë me të cilët dyshohet të jetë kryer vepra penale”, thuhet në një njoftim të Policisë së Kosovës.