/2L ONLINE/ – Kryesuesi Komunal i Aksionarëve, në Kompaninë e Mbeturinave “Ecohigjiena”, Xhelal Jetishi ka rikujtuar deklaratën e mëparshme kur kishte thënë se “Ecohigjiena” nuk e përmbushi marrëveshjen me Komunën, dhe se në këtë kompani nuk ka investime, të parapara sipas marrëveshjes së Partneritetit Publiko Privat, e që, sipas tij, dikujt-dikujt, ka mund të mos i pëlqej kjo deklaratë e tij asokohe, por që sot gjendja aktuale është e tillë që përveç që akoma nuk kemi investime, tani nuk kemi as menaxhment.
Jetishi ka thënë se dëshiron t’ia qartësojë publikut se Komisioni i Aksionarëve, nuk ka qenë, nuk është as nuk do të jetë asnjëherë kundër partneritetit publiko privat, sepse e vlerëson këtë si të një rëndësie të veçantë, por në rastin konkret pyetja është se sa është realizuar synimi i dalë nga marrëveshja.
Jetishi në fjalën e tij gjithashtu ka thënë se komisioni ka punuar dhe vazhdon angazhimin, që kjo kompani të mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme dhe në çdo kohë të siguron mbështetjen në bazë ligjore për të siguruar operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sistemit të shërbimeve, rritjen e nivelit të bashkëpunimit për të arritur aktivitetet dhe objektivat sipas marrëveshjes, por edhe duke promovuar dhe mbrojtur interesat e ndërmarrjes publike në interes të Komunës.
Jetishi ka thënë se Komisioni në fjalë asnjëherë nuk ka heshtë, por përherë ka kërkuar që partneri privat t’i përmbushë obligimet. Ai e ka vënë në spikamë edhe njëherë mospërmbushjen e investimeve prej 1 milion e 500 mijë eurosh për tri vitet e para që i kap pasur obligim partneri privat, po ashtu nuk është respektuar ligji përkatës për faljen e borxheve, as zbritja e tarifës prej 5 euro, sipas vendimit të qeverisë, apo edhe është bërë zhvlerësimi i aseteve në mënyrë të njëanshme.
Jetishi ka ripërsëritur edhe njëherë atë se Komisioni i Aksionarëve mendon se në këtë gjendje, Komuna e Gjilanit duhet të rishikojë marrëveshjen me partnerin austriak. Sipas tij janë tri rrugë, ose të vazhdohet në këtë formë, ose të rishikohet marrëveshja, të ridizajnohet ose diçka e tillë, ose edhe të ndërpritet marrëveshja.
Lexo edhe: Komisioni i Aksionarëve: Komuna ta rishikojë marrëveshjen me partnerin austriak
Ndërsa, i pyetur për deklarimet e palës private se edhe komuna nuk i ka përmbushur obligimet e saja, Jetishi ka thënë se ajo nuk qëndron sepse marrëveshja e ka precizuar qartë se partneri privat ka fillua punën me asetet e kompanisë ekzistuese në vlerën prej 1.4 milion që përmendet pastaj se komuna është dashtë t’i investojë.
“Ecohigjiena” është kompani publiko-private, e themeluar në vitin 2012, ku partneri privat ka 51 për qind të aksioneve. “Higjiena” merr pjesë me një kapital aktual prej 1,441,177 euro, kurse “Ecovizion” – sipas marrëveshjes së partneritetit, është dashur të investojë 1,500,000 euro për tri vitet e para.
Ai po ashtu i ka hedhur poshtë si të pasakta dhe të paqëndrueshme deklarimet e u.d të kryeshefit ekzekutiv Senad Ramaj se Komisioni komunal i aksionarëve jep raporte jo të plota, të njëanshme dhe qëllimisht të shtrembëruara nëpër komitete dhe Kuvendin Komunal në lidhje me zhvillimin e kompanisë, duke thënë se raportet e Komisionit përherë janë të sakta dhe të drejta pa shtrembërime.
Lexo edhe: Ramaj: Intrigat rreth Eco-Higjiena
Sa i përket, deklaratave të Ramajt ku ai tërheqë paralele duke përmend edhe metodat që kujtojnë kohën e Millosheviqit, Jetishi ka thënë se nuk dëshiron të lëshohet në komente të tilla, por se dëshiron të përmend në këtë rast një fjalë të urtë e cila thotë se “Paraja të bënë të pasur, por edukata është ajo që të bënë zotëri!”.
Përndryshe, ai ka folur edhe për zhvillimet më të fundit, ku aktualisht Kompania është pa u.d të kryeshefit, i cili është në arrest shtëpiak, dhe ka bërë të ditur se përpjekja për të mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të bordit, për të zgjedhur një kryeshef ekzekutiv të përkohshëm, për të mos pasur vakuum deri në zgjedhjet e kryeshefit ekzekutiv nga konkursi që tani më është mbyllur dhe pritet vetëm intervistimi i kandidatëve që kanë aplikuar, por se një takim i tillë ka dështuar për shkak të refuzimit për të marr pjesë nga ana e palës private, arsyetimet e të cilës, sipas Jetishit, janë të natyrës teknike. /2L ONLINE/