Në Komunën e Gjilanit, me iniciativë të shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” e përfaqësuar nga Halil Kastrati, në bashkëfinancim me një donator anonim dhe në koordinim me Komunën e Gjilanit, në qendër të qytetit kanë blerë banesë për familjen e Gëzim Shkodrës, e cila deri më tani ka jetuar në kushte shumë të vështira ekonomike dhe sociale.
Halil Kastrati, me rastin e dorëzimit të çelësave të banesës së re për familjen Shkodra, ka thënë se me mbështetjen e shumë donatorëve anë e kënd Kosovës, diasporës dhe gjithë njerëzve të vullnetit të mirë është bërë i mundur ky donacion për familjen me gjendje të vështirë ekonomike dhe sociale.
Ai ka potencuar se në blerjen e banesës për këtë familje, përpos shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, këtij donacioni i është bashkangjitur edhe një donator nga Komuna e Gjilanit, i cili ka dashur të mbetet anonim për publikun.
Kryetari Lutfi Haziri, ka falënderuar shoqatën dhe donatorët për solidaritetin e treguar në këtë rast.
“Falë këtij solidariteti në Komunën e Gjilanit janë bërë me kulm mbi kokë 49 familje dhe me këtë banesë, numri arrin në 50 shtëpi të ndërtuara për tri vite. Gjithashtu, janë renovuar mbi 40 shtëpi dhe jemi duke paguar qera mujore për 41 familje. Ky aksion do të jetë i hapur gjithmonë deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të streimit dhe vendbanimit”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
E familja Shkodra është shprehur jashtëzakonisht e lumtur me kushtet që ka në banesën e re dhe ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar nga pasuria e tyre për një jetë më të mirë për anëtarët e familjes së tyre.