Aty ky pushteti të largon nga libri, aty njerëzit ikin dhe braktisin qytetin. Qyteti mbetet si shtëpia pa njerëz. Aty, atëherë, dhe vet qyteti vdes.
Nga: Nehat OSMANII
Pushteti dhe qeveria lokale me barrikadimin e hapjes së “Panairit të Librit” ka barrikaduar më shumë se një traditë të ndritur të qytetit të Gjilanit të nisur që nga viti1972i largët. Ka barrikaduar dyert e “shtëpisë” së diturisë, shkencës, teknologjisë. Aty ku poezia, fantazia, arti tuboheshin nën një kulm e Gilanin afirmonin si djepin e qytetërimit dhe kulturës së republikës sonë.
Aty ku ideologjive partiake u hapen dyert, ndërsa vlerave të mirëfillta letrare e shkencore u shuhet zëri, aty dhe popullit i zihet fryma e qytetarët ndihen të shtypur, aty pra gjymtohet lumturia, shpresa e shpirti i atij qyteti.
Kryetari Haziri me hapjen e dyerve të teatrit për promovimin e librave të “shkrimtarit” Adnan Merovci, më shumë se po promovonte autorë të kuazi veprave politike e temave partiake ku po mblidhte bashkëpartiakët, bashkëmendimtarët dhe shokët e tij, më shumë po injoronte dhe bastardonte të arriturat dhe krijimtaritë e fundit të shtëpive më të njohura botuese mbarëkombëtare, ku mblidheshin elita krijuese dhe ajka e inteligjencies kombëtare.
Aty ku grisen gjurmët e gjeneratave e baballarëve tanë, aty atëherë shtrembërohet historiku i qytetit, aty pra asfiksohet qytetërimi i qytetit tonë.
Me pafuqinë për t’i risjellë “Panairin e Librit” Gjilanit fortifikohet bindja e një “karizme shterpe”të kësaj kaste udhëheqëse të komunës për të ndaluar bartjen dhe zhvendosjen e vlerave kulturore dhe emblematike drejt qyteteve tjera të Kosovës.
Gjilani e kishte panairin e Librit atëherë kur askush s’e kishte e duhet ta ketë edhe sot e përherë për të ruajtur trashëgiminë e krijuar e afirmuar ndër breze dhe për të rikthyer e ringjallur epitetin nostalgjik të “ Qytetit të kulturës”
SHPLONI KUBËZAT QYTETËRUESE TË GILANIT, CIVILIZIMI I QYTETIT TONË KA NISUR EDHE PARA ARDHJES SUAJ KËTU!
/autori është nënkryetar i Lëvizjes vetëvendosje, Gjilan/