Kryesia e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së ka paralajmëruar protestë për shkak se në projektbuxhetin e vitit 2014 nuk është paraparë asnjë vijë buxhetore për veteranët.
Kryesia e këtij këshilli nëpërmjet një komunikate ka shprehur indinjatën dhe revoltën që edhe për vitin 2014, nuk është paraparë asnjë vijë buxhetore për veteranët e luftës të UÇK-së, të cilët sot e 14 vite po u premtohen të drejtat ligjore, e që në fakt ata edhe pas 14 viteve nuk e gëzojnë as të vetmen një të drejt.
“Ne u bëjmë thirrje qeverisë, parlamentit dhe komisionit për buxhet dhe financa që kërkesat tona të merren për bazë gjatë ndryshimeve që do të bëhen deri në leximin e dytë të këtij projektbuxheti dhe të gjinden fondet për veteranët sepse me premtime tashmë jemi lodhur”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, është koha e fundit për Institucioneve të Kosovës për ta zgjidhur këtë problem, pasiqë logjika e premtimeve dhe mashtrimeve më nuk u shitet tek veteranët.
Ata thonë se çdo ditë po shohin se gjendja e veteranëve është rënduar në shkallën më të lartë dhe mos veprimi i Institucioneve në këtë moment bënë që ata prapë të jenë në rrugë.
“Asnjëherë nuk do të rrimë duarkryq dhe këtë do ta vërtetoni shumë shpejt nëse këto kërkesa nuk do të realizohen. Presioni dhe kërkesa e veteranëve tash çdo ditë po shtohet për protestë dhe ne jemi të vendosur këtë ta bëjmë”, thuhet në komunikatë.