Sot janë zhvilluar tri ndeshje interesante, të javës së 23-të. të Superligës së Kosovës në futboll, javë kjo e frytshme për skuadrat gjilanase, FC Drita dhe SC Gjilani, pasi që, të dyja skuadra kanë shënuar fitore dhe kanë arkëtuar pikë të plota.
Sfida kryesore, padyshim që u luajt në Gjilani, ku skuadrat, Drita dhe Llapi, sfiduan njëra-tjetrën dhe pas 90 minutave lojë, gjilanasit u dëshmuan si skuadër më e mirë dhe shënoi fitore me rezultat 2:0.
Golat u realizuan në pjesëlojën e dytë, fillimisht erdhi autogoli i Shabanit 47′ dhe pastaj edhe goli i Ajzeraj në minutën e 92”.
Me këtë fitore, Drita mban hapin për titull kampioni, pasi ka vetëm një pikë më pak (47 pikë) se i pari në tabelë, Ballkani (48), por që lideri luan ndeshjen e javës së 23-të, nesër.
Ndërkohë, skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani ka shënuar fitore minimale (0:1)), por të vlefshme, edhe atë si mysafire, duke e mposhtur Dukagjinin, me golin e shënuar nga Zeka (44’).
SC Gjilani e ka nisur shumë mirë stinorin pranveror, pasi në këto pesë xhiro të këtij stinori, ka mbetur skuadër e pamposhtur, ka barazuar dy herë dhe më pas radhazi i ka shënuar tri fitore.
Tani, SC Gjilani është edhe ma komod në pozitën e tretë të tabelës së klasifikimit me 38 pikë.
Ndërkaq, në duelin tjetër të ditës së sotëm u ballafaquan Drenica dhe Ferizaj, skuadra nikoqire shënoi fitore minimale (1:0). /2LONLINE/