Kryetarja e Forumit të Gruas në Gjilan, njëkohësisht edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Valentina Bunjaku- Rexhepi, së bashku me kryesinë e Forumit të Gruas në Gjilan, organizuan “Sofrën Dardane” .
Në adresimin e saj për këtë aktivitet, znj.Bunjaku- Rexhepi falenderoi gratë gjilanase për kontributin e dhënë tash e 32 vite në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke theksuar se ato ishin dhe janë promotore të fitoreve të njëpasnjëshme të LDK-së si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.
Ajo gjithashtu theksoi se janë shpallur zgjedhjet e Forumit të Gruas në Gjilan dhe në gjithë degët tjera në vend, duke potencuar gjithashtu se Forumi i Gruas në Gjilan është ndër forumet më të suksesshme në nivel vendi.
“Do mundohemi të nxjerrim një strukturë edhe më të suksesshme në nëndegët tona sikurse edhe në degë”- tha Bunjaku-Rexhepi para grave të pranishme në këtë aktivitet.
Në emër të kryetarit Haziri, të anëtarëve të Kuvendit Komunal, të Kryesisë së Degës dhe gjithë strukturave të LDK-së në Gjilan, këtë aktivitet e përshëndeti z.Avdyl Aliu.
Aliu falenderoi gratë për kontributin e dhënë si në ditët e para të LDK-së e deri në ditët e sotme, duke theksuar rolin e gruas në kohët e rënda të kombit shqiptar.
“Sa është një shoqëri e zhvilluar, një shtet i zhvilluar, një familje dhe një parti e zhvilluar, varet se sa dëgjohet dhe vlerësohet zëri i gruas aty”- tha Aliu, duke shprehur mirenjohjen e thellë për kontributin e grave gjilanase.
Sot është dita e dytë e Javës së Bardhë në 32 vjetorin e themelimit të LDK-së në Gjilan. Aktivitetet e kësaj jave do zgjasin deri më 11 mars. /2LONLINE/