Fitorja në derbin lokal ndaj Gjilanit e ktheu Dritën në krye të tabelës së klasifikimit, kjo ndodhi edhe për faktin që lideri i deritanishëm, Ballkani pësoi humbje nga Llapi.
Për skuadrën bardhekaltër të Dritës, mund të thuhet se java e 25-të e Superligës së Kosovës në futboll, ishte javë me fat, ku çdo gjë shkoi në favor të saj.
Në derbin lokal FC Drita – SC Gjilani, fitorja i takoi Dritës dhe ndonëse minimale, mund të vlerësohet me vlerë shumë të madhe duke e kthyer fuqishëm në binarët që e dërgojnë këtë skuadër, në rrugën më të trasuar, drejt titullit kampion.
Goli i vetëm u shënua nga Blendi Baftiu pak para përfundimit të pjesës së parë (43’).
E, fakti që kjo javë mund të cilësohet si javë që i takoi Dritës, është edhe humbja e sotme e Ballkanit, e cila u mposhtë nga Llapi. (Llapi – Ballkani 3-2).
Pas fitores së sotme, Drita rrëmben sërish pozitën e parë në tabelë, ka 51 pikë, një më tepër se Ballkani.
Skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani, vazhdon ta mbajë pozitën e tretë në tabelë me 39 pikë.
Përndryshe, sot u zhvillua edhe ndeshja tjetër, Prishtina – Malisheva 1 – 2.
Edhe humbja e Prishtinës shkoi në favor të Gjilanit, pasi ruhet diferenca në pikë, ngase Prishtina mbanë pozitën e katërt me 32 pikë. /2LONLINE/