/2L ONLINE/ – Komuna e Vitisë, konkretisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti, ka pranuar nga qeveria japoneze një donacion prej dy automjeteve. Njëri automjet do të shërbej si autoambulancë e tjetra për pacientet e Hemodializës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga Basri Aliu, Drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Viti, kanë vizituar personelin mjekësor të QKMF-së në Viti, pas pranimit të donacionit nga populli japonez që kap vlerën e rreth 60 mijë eurove.
Me këtë rast, Kryetari Haliti dhe Drejtori Aliu i kanë uruar mjekët për donacionin e fituar duke falënderuar popullin japonez për bujarinë e tyre që përmes donacioneve të tilla të ju dal në ndihmë qytetarëve të komunës së Vitisë.
Haliti gjithashtu më pas ka bashkëbiseduar me personelin e QKMF-së në Viti, ku ndër tjerash tha se komuna e Vitisë, po synon të krijoj kushte sa më të mira si për qytetarët që marrin shërbime në këtë qendër ashtu edhe për personelin e QKMF-së në Viti.
Ndërkaq Xhemajl Arapi, Drejtor i QKMF “ Nëna Terezë” në Viti, ndër tjerash tha se Komuna e Vitisë, ka aplikuar për këtë donacion në qeverinë japoneze para më shumë se një viti dhe se fatmirësisht ata janë përfitues të saj.
Ai pasi që shprehi falënderimet për popullin japonez dhe qeverinë e këtij vendi, potencoi se një automjet do të shfrytëzohet si autoambulancë ndërsa minibusi do të jetë në shërbim të pacientëve të Hemodializës, duke nënvizuar se fatkeqësisht numri i pacientëve të prekur nga kjo sëmundje në territorin e komunës së Vitisë është mjaftë i madh. /2L ONLINE/