(2L ONLINE) – Drejtori për Zhvillim Ekonomik i Komunës së Gjilanit, Ismail Januzi ka reaguar ndaj deklaratës, siç e quan ai, së pavërtetë, të këshilltarit komunal nga radhët e PDK-së, Riad Rashiti, lidhur me taksat komunale.
“Në vend të reagimit ndaj deklaratës së pavërtetë të këshilltarit komunal, Riad Rashiti, po i jap disa sqarime për hir të informimit të drejt të opinionit publik gjilanas. Fillimisht, Riad duhet të lexosh shumë dhe të mësosh shumë për dallimin në mes të marketet, supermarketet dhe hipermarketet, sikurse edhe në mes të restoranteve, hoteleve, moteleve, diskotekave, diskobareve si dhe klubeve të natës, por si duket t’i akoma je i ri si dhe ke kohë për të mësuar për këto çështje. Prandaj, nuk është mirë ta luash rolin e hipokritit dhe ta manipulosh opinionin publik”, thotë Januzi në këtë reagim.
Ai shto se me përgjegjësi të plotë e thotë se taksat komunale nuk janë rritur, por përkundrazi janë zvogëluar për bizneset gjilanase. “Ajo që dua të them është se ne vetëm e kemi bërë dallimin dhe përshkrimin më specifik për secilat biznese që janë cekur më lart veç e veç, për shkak se taksambledhësit kanë hasur probleme me biznese shkaku i emërtimit jo adekuat.
Dua ta informoj opinion publik se Komuna ka mbajtur dy dëgjime publike vitin e kaluar për ndryshimet për rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba komunale, derisa debati i dytë është mbajtur me insistim të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik me qëllimin më të mirë që bizneset të kenë mundësi t’i paraqesin vërejtjet, sugjerimet dhe kërkesat, të cilat, janë marrë parasysh dhe janë futur në këtë rregullore. Në rregullore shihet qartë se janë liruar të gjitha bizneset tregtare dhe prodhuese, e jo siç tenton ta manipuloj opinionin Riad Rashiti”, thotë tuje Januzi.
Më tutje, Januzi i thotë Rashitit se “ka kaluar koha kur ju e keni manipuluar opinionin publik sepse tashmë gjithçka është transparente në qeverisjen e Komunës së Gjilanit, në krye me kryetarin Haziri’.
“Qytetarët dhe bizneset gjilanase mund ta gjejnë rregulloren për taksa në ueb faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit dhe ta shohin se e vërteta është krejt ndryshe”, përfundon reagimi i drejtorit të DZHE, Ismail Januzi. /2L ONLINE/