Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, edhe njëherë tjetër, më saktë në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH, ka pranuar se Adnan Januzaj do të jetë shumë e vështirë të vijë të luajë me kombëtaren shqiptare.
“Nga pala shqiptare, sidomos nga FSHF është bërë e pamundura për të kontaktuar me familjen, futbollistin, madje vetë De Biazi është munduar disa herë të kontaktojë me familjen e tij, por si duket nuk qenka kaq e thjeshtë.
Në këtë çështje nuk jemi të përfshirë vetëm ne, por i gjithë opinioni shqiptar, madje edhe Behgjet Pacolli, i cili ka përcjellë mesazhin deri te kryeministri ynë që Januzaj të zgjedhë Shqipërinë.
E vetmja gjë që kërkoj unë është që familja e tij të mbajë një qëndrim, të paktën të ulet të bisedojë me ne, pastaj të zgjedhë kë të dojë, fundja është e drejta e tij të zgjedhë kombëtaren që dëshiron”, tha Duka.