Opinioni dhe mediat angleze po vazhdojnë të parashikojnë se Adnan Januzaj do të bëhet si Cristiano Ronaldo, ngase kosovari po ecën rrugës së njëjtë nëpër të cilën kalonte portugezi. E këtë mundësi nuk e përjashton as trajneri i Manchester Unitedit, David Moyes, i cili ka kujtuar se Ronaldo pati shpërthyer njëjtë sikurse tani kosovari në ‘Old Trafford’
Menaxheri i Manchester United, David Moyes po vazhdon të krenohet që në skuadër e ka super-talentin kosovar, Adnan Januzaj.
Pavarësisht cilësive të mira, 18 vjeçari kohëve të fundit po kritikohet në Angli për shkak të simulimeve të shpeshta që po i bën në fushën e blertë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, Moyes thotë se Januzaj është një lojtar i madh, pavarësisht moshës së tij të re. Në këtë mënyrë, skocezi i ka dalë në mbrojtje reputacionit të kosovarit, i cili po zbehet me akuza për simulime.
“Nuk më intereson kjo. Ajo që më intereson është kualiteti i lojtarit. Januzaj është futbollist shumë i talentuar. Padyshim them se Januzaj do të bëhet ndër lojtarët më të mirë në Angli, dhe i tillë do të jetë për një kohë të gjatë. Ai do të jetë ndër lojtarët më të mirë që ka pas Manchester Unitedi”, ka deklaruar Moyes.
Opinioni dhe mediat angleze po vazhdojnë ta krahasojnë Adnan Januzajn me Cristiano Rronaldon, i cili thuajse pati ‘lind e rritë’ në Manchester United. Andaj, shumë kush po parashikon se edhe Januzaj po shkon rrugës së portugezit, por kësi krahasimi ka hezituar të bëjë menaxheri i gjigantit anglez, David Moyes.
“Më kujtohet kur Ronaldo pati shpërthyer në Manchester United. Por, unë nuk dua ta krahasoj Januzajn me Ronaldon. Adnani është vetëm 18 vjeç, andaj ka mundësi të përparoj jashtëzakonisht shumë. Ai do të mësoj shumëçka rreth futbollit. Futbollisti po e ndihmon shumë skuadrën dhe kjo është tepër e rëndësishme”, ka theksuar Moyes.
Ai është shprehur i lumtur që për shumë vite Januzaj do të qëndroj në Old Trafford, ngase siç dihet futbollisti me origjinë nga Istogu por me nënshtetësi belge para disa muajve pati nënshkruar kontratë me gjigantin anglez, e cila palët i mban të lidhura deri në vitin 2018.
Januzaj po shkëlqen sivjet në Premierligë, ku deri më tani është paraqitur në 16 ndeshje, derisa i ka realizuar tri gola.
Ai është bërë pjesë e Manchester Unitedit në fillim të vitit 2011, kur u transferuar nga gjiganti belg, Anderlecht, për rreth 500 mijë euro. Ndërsa, sot vlera e kartonit të futbollistit kushton miliona euro.