“Në asnjë vend të botës nuk kam gjetur ngrohtësin e popullit të Kosovës” u shpreh humanistja dhe aktivistja Janet Reineck gjatë vizitës sot në Viti.
Në Viti sot ka qëndruar aktivistja e humanistja amerikane Janet Reineck, e cila kontribuoi shumë në emancipimin e femrës shqiptare, në mbështetje të shkollave shqipe gjatë viteve të 90-ta, si dhe në realizimin e shumë projekteve të tjera në komunën e Vitisë gjatë viteve 1994-1997.
Ajo u prit nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti me bashkëpunëtorë, ku edhe u nderua me një mirënjohje për gjithë kontributin e dhënë në atë kohë.
Kryetari Haliti theksoi se Janet Reineck, gjatë asaj kohe pati bërë emër dhe ishte e njohur në çdo familje të komunës sonë.
“Janet ka qenë, është e do të mbetet mike e popullit shqiptar të Kosovës. Ishte amerikania që me shkrimet e saja, incizimet e fotografitë e realizuara në vise të ndryshme të Kosovës si në Opojë, Dukagjin, Gollak e të tjera, sensibilizoi pozitën e popullit të përvuajtur e të okupuar të Kosovës, në qarqet më të larta të ShBA-së. Pos humanizmit, përkrahu shimë projekte si në renovimin e rindërtimin e disa shkollave, po ashtu edhe në sigurimin e ujit në disa familje në lokalitete të ndryshme. Prandaj, jemi falënderues për gjithë atë përkushtim, për gjithë atë mbështetje dhe atë gatishmëri që përkundër sfidave, ka arrit suksesshëm ti realizoj synimet e saja humanitare”, ka thënë Haliti.
Janet Reineck, në Viti erdhi edhe për të promovuar librin e saj “Një amerikane në Kosovë 1981-1997”, vepër kjo që vë në pah mënyrën e jetesës së kosovarëve në një periudhë 16-vjeçare para luftës.
Aktivistja humanitare Reineck, e cila qëndroi për tetë vjet në Kosovë midis viteve 1981-1997, thotë se libri që ajo ka shkruar është dhuratë për shqiptarët, të cilët ia hapën një botë të re.
“Jam e mahnitur me të arriturat në Kosovë. Jam tejet e emocionuar me takimin që pata me ish bashkëpunëtorët e mi të dikurshëm e që nuk janë të paktë. Gjatë viteve që jetova në Kosovë më ndryshuan rrënjësisht. Më ndryshuan edhe mënyrën nga ajo se si e shihja jetën. Unë nuk e kuptoj të jetosh për veten tënde kur pjesa tjetër e botës vuan. Kur keni ujë për të pirë, ushqim për të ngrënë dhe strehë, jeni më mirë se 83 % e njerëzve në planet”, është shprehur ajo.
Gjithashtu ajo ka evokuar kujtime nga e kaluara. Ka përmendur takimet me zyrtarët e lartë amerikan, ish presidentin Klinton, sekretaren e shtetit Madline Olbright, etj për bisedat e zhvilluara rreth gjendjes në Kosovë. Reineck, gjatë takimit me të pranishmit në sallën ku promovohej libri i saj, nuk ka hezituar ta shfaq dashurinë që ka për Kosovën.
“Kosovën e kam në shpirt. Për asnjë çast nuk e largoj nga mendja popullin e mrekullueshëm shqiptar dhe ato vite të veprimtarisë sime këtu. Shpesh mendoj të vij të jetoj këtu sepse askund në botë nuk e gjej bujarinë dhe dashurin e njerëzve sikur këtu në Kosovë. Inkurajojë të rinjtë që të mos e lëshojnë vendin, të punojnë e të jetojnë këtu se askund nuk ka si Kosova”, ka thënë zonja Reineck.
Ndryshe, në librin e saj “Një amerikane në Kosovë” me mbi 260 faqe, Reineck flet për përvojat, gjatë kësaj periudhe, përvoja që ajo i përshkruan si odise të saj me një popull të vendosur në prag të luftës, të gatshëm të japin jetën për vetëvendosje dhe dashurinë e tyre për Amerikën. Fotografi nga jeta e përditshme, dasmat, ndejat e shumëçka tjetër mund të gjenden në këtë libër.
Librin, Reineck ia ka dedikuar njerëzve jashtë Kosovës që duan të dinë më shumë për popullin shqiptar dhe traditat e tij, si dhe shqiptarëve, siç thotë ajo, si një mundësi për të rishikuar stilin tradicional të jetesës dhe për të mësuar rreth rajoneve të largëta që mund të mos i kenë vizituar kurrë.
Gjatë qëndrimit në Viti, ajo së bashku me kryetarin Haliti, ka vendosur lule tek busti i ambasadorit Holbrook në Viti. /2LONLINE/