Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar procesi i numërimit të votave me postë, për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. Efekti i këtyre votave është më i madh tek kandidatët se sa te partitë. Kështu ka thënë koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj, raporton RTK.
“QNR është në procesin e normimit të votave me kusht dhe me nevoja të veçanta, dhe më pastaj do të fillojë rinumërimi i votave të kërkuara nga KQZ”. Ahmetaj, duke iu referuar asaj që shumica e votave të ardhura nga Serbia kanë qenë të njëjta, ai përsëriti se nuk është në kompetencën e QNR-së, që të hetoj se si kanë votuar.
“Rreth 8 mijë vota me postë janë nga Serbia, kurse pjesa tjetër nga pjesa tjetër. Shqetësimi i vëzhguesve ka qenë me atë që ka të bëjë me përmbajtjen e atyre fletëvotimeve të ardhura nga Serbia. Janë organe të tjera që do të bëjnë këto hetime. Pra ne nuk kemi kompetencë që t’i hetojmë këto vota”.
Burim Ahmetaj tha se votat e pa numëruara deri më tani, më shumë do të kishin efekt në rezultatin e kandidatëve për deputete sesa rezultatin e partive. “Efekti i këtyre votave është më i madh te kandidatët se te partitë. Sa i përket tentimit për manipulim, nuk ka ndonjë shans në QNR”, tha Ahmetaj.