Janë bërë 21 ditë që në komunën e Vitisë nuk është shënuar asnjë rast me Covid 19. Ky stabilitet, vjen si rezultat i zbatimit të rekomandimeve të IKSHP-së dhe korrektësisë së qytetarëve, që kanë vepruar konform këtyre rekomandimeve, u tha sot në mbledhjen e rregullt të Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Drejtoresha e QKMF-së në Viti, dr.Vjollca Kadolli, ka bërë të ditur se nga gjitha testet që janë bërë për gjatë këtyre tri javëve, kanë rezultuar negativ.
Ajo pohoi se rasti i fundit pozitiv në komunën e Vitisë ishte shënuar më 30 prill, ndërkohë që për gjatë kësaj perudhe nuk ka asnjë të dyshuar me Covid 19.
Ndërkohë në takimin e KKMSH-së, komandanti i stacionit policor në Viti kapiten Afrim Halili, theksoi se gjendja e sigurisë në komunën e Vitisë është e mirë, ndërkaq përmendi kontrollet e vazhdueshme në kafiteritë e qytetit, në mënyrë që të zbatohen masat gjatë punës së tyre.
Ai njoftoi se sot ka filluar edhe tregu i gjelbër, duke pas parasysh ruajtjen e distancës. Kurse kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, u shpreh i kënaqur me situatën momentale dhe ka apeluar që të vazhdohet me zbatim të masave mbrojtëse dhe mos grumbullim të qytetarëve e dalje të pa nevojshme, në mënyrë që të tejkalohet edhe kjo fazë pa ndonjë rast me Covid 19.
Ndryshe, komuna e Vitisë, respektivisht Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë, po vazhdon me klorifikim të rrugëve dhe trotuareve si dhe dezinfektim të objekteve publike.