Forca e Armatosur e Kosovës është e domosdoshme dhe se ky proces nuk ka alternativë tjetër. Kjo forcë është për Kosovën, është e Kosovës dhe Kosova do ta ketë forcën e saj të armatosur. Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot gjatë një vizite në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.Sipas saj, procesi i rishqyrtimit të sektorit të sigurisë i cili ka qenë një proces ndërinstitucional dhe gjithëpërfshirës ka përfunduar dhe siç pohoi ajo, Kosova do ta ketë Forcën e saj të Armatosur.
“Ky proces duhet të përmbyllet me themelimin dhe me krijimin e forcës mbrojtëse të Kosovës. Forca e Armatosur e Kosovës është e domosdoshme dhe ky proces dhe ky opsion nuk ka alternativ. Kjo forcë është për Kosovën, është e Kosovës dhe Kosova do ta ketë Forcën e saj të Armatosur, e cila do të kontribuojë në konsolidimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë dhe gjithsesi do të kontribuojë edhe më tutje në përmbushjen e strukturave evropiane të sigurisë e po ashtu edhe atyre globale”, ka thënë ajo, transmeton RTK.
“Institucionet e shtetit tonë kanë ardhur në përfundim për krijimin e një Force dhe krijimin e një Force Mbrojtëse për Kosovën. Një force e cila do të ketë kapacitete mbrojtëse, një force që do të ketë kapacitete që t’i adresojë të gjitha sfidat e sigurisë dhe një force që do ta përmbushë atë strukturën e sigurisë për shtetin tonë. Por gjithsesi një strukturë e cila do të përmbushë të gjitha ato standardet që ne i kemi parapa dhe që janë të parapame në profesionalizmin e juaj të mëtutjeshëm ashtu siç është paraparë në kuadër të standardeve të NATO-s, derisa edhe ne të bëhemi pjesë e kësaj strukture euroatlantike, sepse edhe ju edhe të gjithë ne dimë që ai është destinacioni i fundit i Forcës së Armatosur të Kosovës dhe synimi kryesor për të qenë pjesë euroatlantike”, deklaroi Jahjaga.
E duke folur për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ajo tha se kjo e fundit ka luajtur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në rrugëtimin e formimit të shtetit të Kosovës si shtet të lirë, të pavarur dhe sovran.
Madje tha se të gjithë qytetarët e Kosovës besojnë në misionin fisnik të kësaj force, e cila i ka mbrojtur vlerat dhe idealet për të cilat edhe janë betuar populli i Kosovës.