Presidentja Atifete Jahjaga, e ka vlerësuar vitin 2013 të suksesshëm për Kosovën. Në takimin e fundit për këtë vit me gazetarë, presidentja Jahjaga ka theksuar se viti që po e lëmë pas, për Kosovën ishte vit i suksesshëm, vit që ka hapur shtigje të reja dhe që ka qartësuar rrugën evropiane.
Gjatë vitit 2013, Kosova ka përmbyllur por edhe filluar procese të rëndësishme që i kontribuojnë ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës. Ky është vlerësimi për vitin që po e lëmë pas nga presidentja e shtetit Atifete Jahjaga.
“Ne kemi hyrë edhe në marrëdhënie të reja me shtetet fqinje, marrëdhënie që duhet të përmbyllen me një marrëveshje përfundimtare që duhet të zbatohet në plotëni dhe përpikëri”, tha ajo, transmeton RTK.
Sipas presidentes Jahjaga, gjatë vitit 2013 Kosova ka filluar edhe procesin e reformave që janë qenësore për shoqërinë. Këto reforma, sipas saj, duhet të ndihmojnë në demokratizimin e shoqërisë në përgjithësi.
“Këto reforma do të vendosin shtetin e së drejtës. Reformat dhe puna e jonë e pandalshme në zbatimin e standardeve të vazhdueshme që duhet të plotësohen, gjithsesi do të sjellin edhe lëvizjen tonë të lirë në shtetet e BE-së”, theksoi Jahjaga.
Në vitin që po vjen Kosovën e pret një punë e madhe, theksoi presidentja Jahjaga, e cila shprehi besimin e saj së institucionet e vendit e kanë guximin dhe forcën për të punuar për zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit.