Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. Në urim thuhet:
“Të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj fillimin e muajit të Madhërishëm të Ramazanit, me dëshirat më të mira për një agjërim të lehtë, vullnet dhe besim.
Muaji i Ramazanit është muaj i sakrificës dhe i përkushtimit në forcimin e besimit në njeriun dhe në Perëndinë.
Uroj që ky muaj të kalojë në paqe dhe të na sjellë zemërgjerësi, dashuri dhe ndihmë për njëri-tjetrin, solidaritet për të gjithë njerëzit në nevojë, shëndet, begati dhe gëzime në familjet tona.
Të na shërbejë ky muaj për të reflektuar për punën tonë, për angazhimet dhe obligimet që kemi ndaj vetes, familjes, miqve dhe shoqërisë, duke forcuar besimin dhe misionin që e ka njeriu.
Në muajin e Bekuar të Ramazanit të kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për vendin”.