Pas takimeve të ditës së enjte, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka kërkuar nga liderët që të bëjnë propozime për të tejkaluar ngërçin politik, por ka kërkuar që të respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë PDK’së për të nominuar kandidatin për Kryeparlamentar.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e Zyrës së Presidentes pas takimeve me krerët e PDK’së dhe të Bllokut që sot janë realizuar veç e veç.
Presidentja Atifete Jahjaga takoi liderët e partive politike parlamentare Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, ka takuar sot në takime të veçanta, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limaj.
Presidentja Jahjaga përsëriti qëndrimin për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për krijimin e institucioneve të vendit me qëllim të përmbushjes së pritjeve të qytetarëve të vendit për institucione të qëndrueshme dhe për përshpejtimin e proceseve reformuese në vend e të integrimeve euroatlantike. Ajo tha se Kuvendi është institucion autonom dhe deputetët e liderët politikë, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës së vendit, duhet të gjejnë mënyrat për të mundësuar krijimin e institucioneve të vendit.
Presidentja Jahjaga tha se liderët politikë duhet të ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues, që në rast të përafrimit të tyre do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet tyre.