Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim komandantin e forcave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, gjeneralin Salvatore Farina, me të cilin bisedoi për situatën aktuale në Mitrovicë dhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Farina e njoftoi Presidenten Jahjaga me gjendjen aktuale në këto komuna të Kosovës, pas rivendosjes së barrikadës në urën në qytetin e Mitrovicës. Ai tha se forcat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, kanë shtuar praninë e tyre në këtë pjesë të qytetit për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Ai tha se është e nevojshme që çështjet të zgjidhen hap pas hapi duke krijuar mirëbesim ndërmjet qytetarëve dhe theksoi përkushtimin e KFOR-it për përmbushjen e misionit të tij në Kosovë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se rivendosja e barrikadës në urën e Mitrovicës, është e papranueshme dhe njëkohësisht cenon lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim. Ajo tha se rivendosja e barrikadës pengon përparimin e Kosovës dhe gjithashtu pengon integrimin e plotë të të gjithë qytetarëve në jetën shoqërore dhe institucionale të vendit.
Presidentja Jahjaga theksoi se qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb që jeton në pjesën veriore të vendit, përmes pjesëmarrjes së tyre edhe në zgjedhjet komunale të vitit 2013 dhe në ato të përgjithshme në qershor të këtij viti, kanë dëshmuar gatishmërinë për ndërtimin e një Kosove të përbashkët, demokratike dhe gjithëpërfshirëse ku do të sundojë rendi dhe ligji dhe në të cilën nuk ka vend për barrikada.