Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga po qëndron në Honduras për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Huan Alvarado.
Gjatë takimit me nikoqirin, Jahjaga vlerësoi se ndihma e Hondurasit në procesin e njohjes së pavarësisë, në veçanti në Amerikën Qendrore, do të ndihmonte në vazhdimin e procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
Jahjaga po qëndron në Honduras me ftesë të presidentit, Huan Orlando Hernández Alvarado. Ajo merrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial, ku do të marrin pjesë edhe një numër i presidentëve dhe përfaqësuesve të tjerë të shteteve të ndryshme, kryesisht të Amerikës Qendrore dhe Jugore, transmeton RTK.
Në takimin me Alvaradon ajo falënderoi për ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit presidencial. Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Presidentja tha se Kosova është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, që po kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal dhe është një promotor i fqinjësisë së mirë. Sipas saj Kosova po konsolidon subjektivitetin e saj ndërkombëtare dhe po synon anëtarësimin në të gjitha institucionet ndërkombëtare, në BE, NATO dhe në OKB.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se ndihma e Hondurasit në procesin e njohjeve të pavarësisë, në veçanti në pjesën e Amerikës Qendrore do të ndihmonte në vazhdimin e procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
Zyra e Jahjagës njoftoi se Alvarado i vlerësoi marrëdhëniet e shtetit të tij me Kosovën dhe theksoi se Hondurasi po i përcjell nga afër të gjitha zhvillimet në rajonin e Evropës Juglindore. Ai tha se ky vend do të bëjë çdo gjë për të ndihmuar përparimin e Kosovës dhe avancimin e procesit të njohjeve në Amerikën Jugore dhe në organizata ndërkombëtare.