Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mbajti sot një fjalë në konferencën “Sfidat e Qeverisjes”, në Shkollën Blavatnik të Universitetit Oxford në Britaninë e Madhe. Konferenca me temën “Qytetarët, pushteti, politika” zgjat dy ditë. Presidentja Jahjaga mbajti fjalën në temën ”Policia gjithëpërfshirëse” dhe u përgjigj në disa pyetje të pjesëmarrësve për zhvillimet në Kosovë.
”Është kënaqësi e veçantë të jesh me ju këtu, sot, në hapjen e ditës së dytë të diskutimit në kohë të duhur të ndikimit të aktivizmit onlajn dhe përparimeve teknologjike në format e ndryshme të qeverisjes dhe qeverisë.
Si një president i tanishëm dhe një oficer i lartë i mëhershëm i forcave të zbatimit të ligjit, unë vij në këtë debat me një bindje mbi ndikimin real që teknologjia ka pasur në mënyrën se si mendojmë për demokracinë, sigurinë dhe posaçërisht përfshirjen, si një nga komponentet më të rëndësishme të ndërtimit të institucioneve stabile dhe legjitime si dhe shoqëri të qëndrueshme. Në forcimin e shoqërisë dhe vënien e themeleve të prosperitetit ekonomik.
Sot, do të doja të ndaj me ju pikëpamjet e mia nga Kosova, shteti më i ri i Evropës, të cilin unë e përfaqësoj, i cili ka kaluar një periudhë të rëndë në historinë e tij të vonshme, e cila periudhë përfshin luftën e viteve 1998-1999 si dhe pastrimin etnik të gjysmës së popullatës së shtetit, intervenimin humanitar të NATO-s, themelimin e protektoratit të KB dhe NATO-s që zgati pothuajse një dekadë si dhe deklarimin e pavarësisë dhe sovranitetit të saj, vetëm 5 vite më parë, në vitin 2008.
Në vend, kjo periudhë nënkuptonte faktin se qytetarët e Kosovës, në një kohëzgjatje prej dy dekadash, përjetuan ndryshime tektonike- nga lufta në paqe, nga diktatura në demokraci, nga ekonomia shoqërore në kapitalizëm dhe treg të lirë.
Kjo po ashtu nënkuptonte rindërtimin e shkatërrimit fizik të shkaktuar nga konflikti, hartimin e një kornize të re politike, ndërtimin e institucioneve të vendit nga pikëfillimi të cilat do t’i përshtateshin realitetit të ri, duke përshirë edhe ato të sigurisë, për ta shmangur mundësinë e krijimit të vakumit të sigurisë dhe potencialit për kaos të cilin e bartte në vete.
Po ashtu nënkuptonte shfaqjen e antagonizmave dhe mosbesimit në mes të komuniteteve etnike dhe tensionit në mes të elitës së dikurshme dhe ardhacakëve të rinj, si dhe presoni që brenda sistemit të ri të akomodohen dhe integrohen të gjithë.
Në mes të këtyre prioriteteve konkurruese në një shoqëri të thyer, e cila sapo kishte dalë nga represioni dhe lufta, po bëhej gjithnjë e më e qartë se që Kosova të gjejë atë stabilitet tepër të nevojshëm politik dhe të shmangë rikthimin në gjendje të mëparshme, e cila gjë është shpesh normë tek shoqëritë e dala nga konflikti, ishte imperative që të ndërtohen institucione me derë të hapur. Institucione të cilat jo vetëm që do të reflektonin përmbajtjen e saj multietnike dhe multikulturore, por edhe të zhvilluara në mënyrë të tillë që të merrnin në konsiderim edhe kontekstin e të kaluarës së saj dhe ambiciet e Kosovës për të ardhmen.
Në të kaluarën, qytetarët e Kosovës kanë jetuar nën një represion të paimagjinueshëm të ushtruar nga aparati shtetëror i Serbisë, që përfshinte një forcë shumë të politizuar dhe brutale të policisë e cila i persekutonte në bazë të përkatësisë së tyre etnike dhe pikëpamjeve të tyre politike. Në të ardhmen, si një shtet i pavarur, Kosova do të kërkojë anëtarësim në Unionin Evropian dhe udhëheqja e të gjitha niveleve ka shprehur qartazi dedikimin e vet për arritjen e parakushteve të lidhura e procesin e anëtarësimit.
Për një gjeneratë e cila është rritur në një botë sikur ajo e Thomas Hobbes-it, plot frikë dhe rreziqe të vazhdueshme, ishte me rëndësi që të përqendrojë këto angazhime në sundimin e ligjit dhe të rifillojë procesin e rindërtimit së bashku me komunitetin ndërkombëtar duke u fokusuar në krijimin e kapaciteteve vendore, forcën e Policisë së Kosovës, si një nga shtyllat e strategjisë dalëse të mbikëqyrësve ndërkombëtarë të Kosovës si dhe një instrument drejt pavarësisë së Kosovës.
Për arsye kontekstuale, nuk ishte sfidë vetëm ndërtimi i një force profesionale policore por edhe ndërtimi i besimit të qytetarëve të Kosovës për këtë institucion dhe uniformën e saj, e cila asocionte me dhunën dhe ishte përdorur si një instrument për represion.
Gjatë rindërtimit të institucioneve të Kosovës ne po ashtu rindërtonim dhe besimin e njerëzve në këto institucione. Ne e dinim se do ta fitonim këtë besim vetëm me ofrimin e sigurisë dhe mundësive të barabarta, pa marrë parasysh etnicitetin dhe gjininë e tyre.
Përgjatë këtij rrugëtimi të rëndësishëm ne kishim fatin që të kemi pranë nesh me mijëra burra dhe gra të cilët punonin nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, të cilët kishin sjellë me vete në Kosovë praktikat më të mira rreth asaj se si të ndërtohet një forcë e aftë dhe e besueshme policore, e cila kishte dëshirë që të besojë në angazhimin e qytetarëve të Kosovës për ndërtimin e një vendi më ndryshe dhe gjithëpërfshirës.
Gjatë muajve të parë të ekzistimit, ne kërkuam që të ndërtojmë besim dhe legjitimitet në forcën e policisë si institucion, duke adresuar dhe reflektuar mbi tre principet kryesore që garantonin përfshirjen në bazë të përmbajtjes dhe traditës së Kosovës, dhe me vizion në bazë të kushtetutës së saj: 1) Pajtimin politik, 2) Multietnicitetin dhe multikulturalitetin, 3). Balancin gjinor.
Si në shumë shoqëri të dala nga konflikti, forca policore u shndërrua në institucionin kyç për absorbimin e ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kishin luftuar për pavarësinë e Kosovës, një proces kyç i cili siguroi demilitarizimin e forcave guerile dhe riintegrimin e anëtarëve të saj në jetën civile.
Ajo forcë po ashtu përshinte në radhët e saj ish oficerë policie të cilët kishin shërbyer nën një sistem të udhëhequr nga Jugosllavia socialiste, të cilët kishin përvojë në shërbimin policor, të cilët u ritrajnuan me standardet e reja të policisë, sipas të cilave policia punonte në mbrojtjen dhe në shërbim të qytetarëve të vendit.
Përkundër armiqësive të cilat ekzistonin në mes të grupeve kryesore etnike të Kosovës, në mënyrë që të sigurohet pranueshmëria nga i gjithë spektri i popullatës së Kosovës, ishte imperative që të rekrutohen pjesëtarë të komuniteteve pakicë dhe të fillohet me patrullime të përbashkëta në rrethe me popullatë të përzier, në mënyrë që të përçohet mesazhi se policia e Kosovës është refleksion i përbërjes etnike dhe kulturore te Kosovës, e cila synon që të kultivojë multietnicitetin si themel të shtetit të ri.
Dhe përfundimisht, pasi që Policia e Kosovës ishte një nga institucionet e para të themeluara në vend, ishte më rëndësi që të tregonte shembull duke rekrutuar numrin më të madh të femrave në këtë shërbim. Angazhimi që të krijonte një balanc gjinor në kuadrin e saj, jo vetëm që ka rrënuar disa nga koncepcionet e gabuara rreth rroleve tradicionale të meshkujve dhe femrave në një shoqëri e cila akoma është patriarkale, por po ashtu ka ngritur besimin ne këtë institucion duke demonstruar se çfarë do të thotë të krijosh një institucion të udhëhequr nga shkëlqyeshmëria e oficerëve e jo nga tradita.
Për këtë arsye, themelet e një strategjie të suksesshme policore e cila i ka sjellë benefite popullit të Kosovës dhe ka shndërruar Policinë e Kosovës në një nga institucionet më të besueshme në vend janë ngulitur thellë në lidhjet në mes të policisë dhe komunitetit si tërësi dhe në kuptimin e faktit se policët janë aty për ti mbrojtur liritë e tyre dhe për ruajtjen e paqes.
Kjo periudhë e re e integrimeve dhe pjesëmarrjes, si kurrë më parë në historinë e njerëzimit, ofron mundësi të reja bashkëpunimi, në të cilën përfshirja dhe diversiteti janë thelbësore.
Në mbarë botën, vende dhe njerëz të cilët historikisht janë ndarë apo janë lënë në margjina nëpërmes mjeteve të shtypjes, traditës shoqërore apo paragjykimeve, po e rimarrin vendin i cili u takon në tavolinë.
Me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, me kohë, e kemi kuptuar këtë mësim të vlefshëm, të cilin përfshirja u solli institucioneve të Kosovës. Kryesorja qëndron në faktin se ky mësim është aplikuar në praktikë gjatë ndërtimit të forcës së Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi në ofrimin e sigurisë dhe lejoi formimin e institucioneve të tjera si dhe në krijimin e ndjenjës së normalitetit në Kosovë, e cila gjë ndihmoi njerëzit të fillojnë rindërtimin e jetërave të tyre. Ofrimi i sigurisë është çështje predominante posaçërisht tek shoqëritë të cilat janë duke kaluar nëpër transformime të mëdha, ato të cilat kanë ngelur në tranzicion dhe kanë tendenca për paraqitjen e fenomeneve negative.
Siguria të cilën forca e policisë ishte në gjendje ta ofrojë krijoi kushtet e nevojshme për pajtim në mes të komuniteteve të antagonizuara.
Kosova është e vendosur të qëndrojë fuqishëm mbi këto parime të përfshirjes. Ne jemi të dedikuar ta mbrojmë traditën tonë të gjatë të multikulturalizmit dhe tolerancës fetare. Jemi të palëkundshëm në dhënien e të drejtave, mundësive dhe përgjegjësive të barabarta aksecilit qytetar. Dhe jemi të vendosur që të krijojmë një shtet në të cilin meshkujt dhe femrat kanë mundësi që ta realizojnë potencialin e tyre të plotë. Vetëm atëherë mund të jemi të sigurt se e kemi vendosur Kosovën – e kjo vlen për secilin shtet – në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe përparimit”, thuhet në njoftimin e presidencës