Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion nga Forumi Rajonal i Feministëve të Reja 2013. Jahjaga, theksoi se Kosova ka shënuar përparime në respektimin e të drejtave të gruas dhe vlerësoi rëndësinë e fuqizimit të rolit të gruas me theks të veçantë në proceset e vendimmarrjes.
Presidentja theksoi se Republika e Kosovës ka një kuadër të mirë ligjor për barazinë gjinore, në përputhje edhe me standardet ndërkombëtare, por tha se duhet që ligjet të zbatohen në praktikë, duke mundësuar kështu përfshirjen e gruas në të gjitha fushat.
Përfaqësueset e Forumit Rajonal të Feministëve të Reja, thanë se është e domosdoshme që të zbatohet ligji për arsimin parauniversitar, me qëllim që secila vajzë ta gëzoj të drejtën për shkollim dhe edukim.
Ato thanë se gjithashtu është e rëndësishme që të vetëdijesohen prindërit për mos ndërprerjen e shkollimit në veçanti atij parauniversitar.
Feministët e reja, kërkuan mbështetje nga presidentja Jahjaga që kuota prej 30% të grave në vendimmarrje të zbatohet si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal të vendimmarrjes.