Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në sesionin “Investimi në Kosovë”, organizuar në kuadër të Forumit të 9-të Botëror Ekonomik Islamik, që po i zhvillon punimet në Londër.
Para pjesëmarrësve të shumtë, mundësitë e investimeve të huaja në vendin tonë i prezantuan Valdrin Lluka, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Promovimin e Investimeve në Kosovë dhe Kujtim Dobruna, president i Nismës Ekonomike për Kosovën.
ë vijim fjala e Presidentes Jahjaga:
Do doja t’ju falënderoj të gjithë që iu bashkuat këtij sesioni që ka për qëllim prezantimin e Kosovës si një mundësi e re dhe destinacionin i ardhshëm. Unë ju falënderoj për interesimin që po tregoni dhe pres të nisim së bashku një partneritet të mundshëm që Kosova të bëhet destinacioni i ardhshëm i investimeve tuaja.
Rënia e fundit globale ka bërë të kuptojmë se ne mbetemi më shumë se kurrë të ndërvarur nga burimet e njëri-tjetrit për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm për ekonomitë tona dhe për t”iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave gjithnjë në rritje të shoqërive tona. Në botën tonë të globalizuar, distancat janë tkurrur dhe kufijtë e rinj të mundësive janë hapur.
Sot, unë do të doja të ndajë me ju potencialin e investimeve që Kosova ofron.
Kosova ka fituar pavarësinë e saj pesë vjet më parë si shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve të saj , duke u rindërtuar pas luftës që e la atë në rrënoja; ka ndërtuar një shtet laik, demokratik, të bazuar në parimet qytetare, ku të drejtat e të gjithë qytetarëve janë të garantuara nga Kushtetuta e vendit pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Një shtet shumëetnik i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se njëqind shtete.
Kosova ka kaluar nëpër rrugën e tranzicionit, nëpërmjet asaj që unë e quaj tre transformimet: nga lufta në paqe, nga diktatura në demokraci dhe nga një ekonomi e centralizuar në atë të tregut të lirë. Në shumë aspekte ne ende jemi duke kaluar nëpër konsolidimin e disa prej këtyre proceseve, duke u përballur me vështirësitë e një vendi në tranzicion, të ngjashme me shumë vende tjera në mbarë botën.
Ne mbetemi të vendosur për të adresuar sfidat dhe të çojmë përpara reformat e nevojshme. Kemi krijuar kornizën ligjore dhe strukturore që e bën Kosovën një destinacion tërheqës, duke konkurruar me vendet e rajonit dhe më gjerë, për investimet e huaja dhe vendore.
Strategjia e zhvillimit e qeverisë së Kosovës bazohet në sigurimin e një rritje të qëndrueshme ekonomike, promovimin dhe mbështetjen e sektorit privat, përkrahjen e arsimit për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe orientimin e shpenzimeve publike në projekte të mëdha të tilla si infrastruktura që lidh Kosovën me rrugët kryesore.
Që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, Kosova ka përjetuar një rritje të vazhdueshme ekonomike. Në fakt , Kosova është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk është përballur me recesion gjatë krizës globale financiare dhe ka pasur një rritje pozitive. Një pjesë e madhe e këtij suksesi është arritur për shkak të politikave të qeverisë të cilat kanë ndihmuar të mbajnë një sistem stabil makroekonomik.
Vendndodhja strategjike e Kosovës shërben si një urë ndërmjet rajonit të LMAV (Lindja e Mesme dhe Afrikës Veriore) dhe Evropës Perëndimore. Kjo është e mbështetur nga marrëveshjet rajonale të tregtisë së lirë dhe marrëveshjet pa-dogana me BE-në, SHBA-në dhe Turqinë të cilat hapin mundësi për investitorët potencialë për të hyrë në një treg në rritje të konsumatorëve.
Kosova ka adoptuar euron si valutë zyrtare, ofron legjislacion në pajtueshmëri me atë të BE-së dhe shumë të favorshëm për investitorët vendas dhe të huaj. Ka një sistem të thjeshtë tatimor me taksa shumë të ulëta dhe ka ndërtuar një sistem stabil bankar që reflekton qëndrueshmëri financiare. Më e rëndësishmja, Kosova ka popullatën më të re në Evropë, një forcë punëtore të mirë-arsimuar, një nga pasuritë më të mëdha kombëtare.
Një prej potencialeve tona më të fuqishme për investime janë burimet natyrore. Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha në botë të qymyrit. Ofron mundësi të mëdha në Nënkontraktime të Procesit të Biznesit, në miniera dhe energji, përpunimin e drurit dhe metaleve, tekstilit, të teknologjisë së informacionit, përpunimin e ushqimit, bujqësisë dhe shumë fusha të tjera.
Ne kemi krijuar një agjenci të veçantë, Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Kosovës, që synon të promovojë investimet në Kosovë, për mundësitë që ofron Kosova për investitorët potencialë.
Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në ngritjen e institucioneve dhe vazhdimisht po forcon mekanizmat e zbatimit të ligjit.
Ne jemi gjithashtu të angazhuar edhe me reformat strukturore përmes procesit të privatizimit që ende është një proces në vazhdim duke ofruar mundësi shumë atraktive për sektorët e biznesit. Ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në përmirësimin e klimës së biznesit përmes garancive ligjore dhe procedurave tjera administrative të bërit biznes për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë. Raporti i fundit i Bankës Botërore i të Bërit Biznes rendit Kosovën në mesin e 10 reformatorëve kryesorë për dy vitet e fundit.
Pavarësisht sfidave, ne mbetemi të vendosur për të eliminuar burokracitë, të inkurajojmë tregun konkurrues, prodhimin, lehtësimin e eksporteve, përderisa zbatojmë sundimin e ligjit dhe masat anti-korrupsion.
Unë kam krijuar Këshillin Kombëtar Kundër-Korrupsion dhe qeveria ka themeluar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, një forum i të gjithë aktorëve relevant për të kontribuar në përmirësimin e biznesit dhe mjedisit ligjor.
Ne kemi filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim -Asociimit me Bashkimin Evropian, që vendos Kosovën në një rrugë të qartë drejt integrimit në BE.
Të nderuar pjesëmarrës,
Unë ju ftoj për të investuar në Kosovë. Ne vijmë nga vende të cilat ndajnë tradita të ngjashme dhe i japim punës së njëjtën vlerë. Le të gjejmë mënyrat e bashkëpunimit që do të kontribuojnë për mirëqenien e vendeve tona. Unë ju siguroj se institucionet e Kosovës do të ofrojnë mbështetjen e tyre të plotë.