Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga deklaroi se synim i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe ndërtimi i një force që do të kontribuojë në sigurinë kolektive, e cila do të përmbushë vizionin e Kosovës për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike.
Këto komente ajo i bëri gjatë një takimi me ministren e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Roberta Pinotti.
Jahjaga e vlerësoi ndihmën që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe në veçanti me praninë e saj në forcat paqeruajtëse të NATO-s. Ajo tha se po tejkalon problemet e së kaluarës duke garantuar përfshirjen e të gjitha komuniteteve në jetën shoqërore dhe institucionale të vendit.
Ajo tha se rajoni i Evropës Juglindore ndodhet në një periudhë të rëndësishme, sidomos pas hapjes së mundësive të reja për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve fqinje, të mundësuar edhe me arritjen e marrëveshjeve në kuadër të dialogut të zhvilluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo tha se marrëveshjet duhet të zbatohen në tërësi dhe rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka arritur të përmbyllë një fazë të rëndësishme edhe në procesin e krijimit të Forcës së Armatosur, një force me standarde ndërkombëtare dhe gjithëpërfshirëse, që do të shërbejë për nevojat mbrojtëse të vendit dhe gjithashtu që do të jetë e gatshme për të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
Ajo tha se synim i Kosovës është anëtarësimi në NATO, dhe se ajo do që të ndërtojë një forcë që do të kontribuojë në sigurinë kolektive e cila do të përmbushë vizionin e Kosovës për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike.
Presidentja theksoi se mbështetja e Italisë për Forcën e Armatosur do të ishte një porosi e qartë për të gjitha shtetet se Kosova është për ndërtimin e një partneriteti në fushën e sigurisë. Ajo tha se Italia mund të ndihmojë edhe përmes hapjes së mundësive për aftësim, trajtim dhe shkollim të kadetëve të kësaj Force në Akademitë ushtarake të Italisë, për të ndërtuar një strukturë të fortë dhe profesionale
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Italisë, Roberta Pinotti vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë. Ajo tha se Italia do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në proceset e saj demokratike, përmes angazhimit edhe në forcën paqeruajtëse të NATO-s, por gjithashtu edhe me zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat e interesit reciprok.
Ministrja Pinotti shprehu gatishmërinë e qeverisë së Italisë, për të ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian por edhe në NATO. Ajo tha se e ardhmja e Kosovës dhe e gjithë rajonit është në Evropë.