Presidentja e Republikës së Kosovës,Atifete Jahjaga priti sot në takim Komisionerin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fule, i cili tha se rruga e Kosovës drejt integrimit në BE, varet nga të arriturat dhe përmbushja e reformave.
Sipas një njoftimi për media, presidentja Jahjaga dhe KomisioneriFule diskutuan për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave si dhe për rëndësinë që procesi i integrimit evropian të mbetet një përpjekje gjithëshoqërore.
Presidentja theksoi se në dy vitet e fundit është bërë progres i konsiderueshëm dhe ne dëshirojmë që ky proces të jetë konsistent dhe në përputhje me perspektivën evropiane të rajonit.
Jahjaga tha se institucionet e Kosovës mbesin të përkushtuara për të vazhduar me të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim të vendit në BE. Në këtë rrafsh, ajo shprehu kënaqësinë me efikasitetin e përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Presidentja Jahjaga me Komisionerin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fule, bisedoi edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku tha se në këtë fushë është arritur progres i konsiderueshëm dhe Kosova është e interesuar të intensifikohen përpjekjet nga të dyja palët në kuadër të dialogut për viza.
Ajo shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sipas saj, janë arritur marrëveshje të rëndësishme por duhet të ketë zbatim të tyre në praktikë, ndërkohë që Serbisë duhet t’i bëhet e qartë se anëtarësimi i saj në BE është i kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Komisioneri për Zgjerim i Komisionit Evropian, Stefan Fule theksoi se Kosova ka perspektivë të qartë evropiane dhe rruga e saj drejt integrimit varet nga të arriturat dhe përmbushja e reformave në vend.
Ai nënvizoi se suksesi në përmbushjen e reformave do të përcaktojë edhe dinamikën e proceseve integruese të Kosovës.