Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e dënon ashpër sulmin me armë zjarri mbi dy makina të misionit të EULEX-it, në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, në veri të territorit të Republikës së Kosovës.
Sulmi me armë zjarri mbi misionin e EULEX-it në Kosovë është përpjekje për të penguar vendosjen e ligjit në territorin e Republikës së Kosovës dhe sulm mbi rendin demokratik të saj.
Sulmi mbi pjesëtarët e misionit të EULEX-it, është gjithashtu një përpjekje për të mbajtur nën tension dhe me frikë qytetarët në këtë pjesë të territorit të vendit, që duan shtrirjen e sundimit të ligjit dhe një jetë më të qetë.
Misioni i EULEX-it po ndihmon institucionet e vendit si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të të gjitha komuniteteve, për të vendosur sundimin e ligjit dhe për të krijuar një vend të sigurt.
Presidentja e Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve përgjegjëse që autorët e këtij sulmi qyqar të kapen dhe të sillen përpara drejtësisë.
Edhe EULEX reagon ndaj sulmit të mbrëmshëm në veri. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm mbi veturën e policisë së EULEX-it, në veri të Kosovës.
Ky mision ka thënë se sulmi ndaj pjesëtarëve të tij, është sulm ndaj Bashkimit Evropian.
Sulmi është dënuar edhe nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga, që e ka quajtur akt kundër rendit demokratik të vendit.
Përndryshe, zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeljeviq kishte deklaruar mbrëmë se dy vetura të misionit të Bashkimit Evropian janë sulmuar në veri të Kosovës në rrugën që shkon drejt kalimit kufitar në Bërnjak në komunën e Zubin Potokut, por të lënduar nuk ka.