Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të radhës në të cilën ka miratuar:
Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2022-2031. Vizioni i Strategjisë së Energjisë është për një sektor energjetik të qëndrueshëm dhe të integruar në tregun pan-Evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe të përballueshme për qytetarët. Ajo ka pesë objektiva strategjikë dhe bashkë me synimet e tyre specifike përbëjnë thelbin e Strategjisë sonë të Energjisë:
Objektivi strategjik 1: Përmirësimi i besueshmërisë së sistemit
Objektivi strategjik 2: Dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme
Objektivi strategjik 3: Rritja e efiçiencës së energjisë
Objektivi strategjik 4: Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe funksionimit të tregut
Objektivi strategjik 5: Mbrojtja dhe fuqizimi i konsumatorëve
Projektligjin për Kinematografinë i cili rregullon veprimtarin, organizimin, financimin, prodhimtarinë, distribuimin dhe shfaqjen e veprave filmike. Ai synon inkurajimin e krijimtarisë, promovimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kinematografike. Projektligji e shpall veprimtarinë kinematografike në Republikën e Kosovës si fushë të interesit të veçantë publik.
Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Energjinë. Ky projektligj ka për qëllim të bëjë ndryshimet e nevojshme të Ligjit për Energjinë për të përcaktuar masat e kursimit të energjisë gjatë periudhës së masave emergjente, mbikëqyrjen e zbatimit të masave të kursimit si dhe dispozitat ndëshkuese.
Koncept-dokumentin për Rininë i cili rekomandon avancimin dhe fuqizimin e rinisë në Kosovë. Bazuar në regjistrimin e fundit të dhënat tregojnë se 19.3% e popullsisë së përgjithshme në Kosovë është e grup moshës 15-24 vjeç.
Programin Edukativ për nxënësit e klasës së njëmbëdhjetë në Republikës së Kosovës në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Edukimi për Siguri”. Ky programi ka për qëllim edukimin dhe trajnimin e të rinjve të Republikës së Kosovës, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai parashihet të zhvillohet me nxënës të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës.
Vendimin për rialokim të mjeteve të kursyera buxhetore. Qeveria ka miratuar vendimin e propozuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për rialokim të mjeteve të mbetura dhe të kursyera buxhetore në shumën prej 4.8 milionë eurove.
Kërkesën e Telekomit për huamarrje, sipas së cilës Telekomi siguron një hua në vlerë prej 5 milionë në këtë vit dhe 15 milionë në vitin e ardhshëm. Këto mjete do të përdoren për investimet kapitale në këtë Ndërmarrje Publike.
Vendimin për t’i kërkuar presidentes dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e marrëveshjes financiare ndërkombëtare me BERZH-in. Marrëveshja i siguron Kosovës një kredi në vlerë 23.2 milionë eurove dhe do të përdoret për rritjen e kapaciteteve të ngrohjes në vendin tonë. /2LONLINE/