Naim Musliu, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Gjilan, ka shpalosur programin për katër vitet e ardshme, i ndarë në disa pika kryesore.
Ndër to, ai përmend Hulumtimin nëpër arkiva ndër-komunal, shtetëror dhe ndërkombëtar. Musliu thotë se dokumentet arkivore për periudha të ndryshme, që përmbajnë të dhëna me rëndësi për historinë e popullit shqiptar në përgjithësi dhe për personalitete dhe ngjarje të Gjilanit historik në veçanti, janë baza kryesore për hartimin e materialeve dhe studimeve shkencore.
“Ekspeditat kërkimore shkencore synohet të realizohen përmes hartimit të projekteve serioze dhe paraqitjes së tyre për financim nga institucione të Republikës së Kosovës (Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Komuna e Gjilanit dhe asociacione të tjera). Çdo dokument që sillet pas ekspeditës hulumtuese do t’i dorëzohet Arkivit Privat të Lidhjes (APL) së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” Dega në Gjilan. Qasja në ato dokumente do të përcaktohet përmes një rregullore të veçantë të hartuar nga Kryesia”, ka thënë Musliu.
Po ashtu, sipas tij, me rëndësi do të jenë edhe hulumtimet në terren.
“Historia orale (gojore) është një prej metodave të rëndësishme të kërkimit shkencor historik. Grumbullimi i të dhënave për ngjarje dhe personalitete të Gjilanit historik përbën një akt të rëndësishëm për ndriçimin e të kaluarës së kësaj treve. Të gjitha të dhënat që do të grumbullohen përmes hartimit të projekteve të veçanta, do të redaktohen, përpunohen dhe arkivohen në APL. Shfrytëzimi i tyre do të bëhen përmes një rregullore të veçantë të nxjerrë nga Kryesia”, ka thënë kreu i LHK “Ali Hadri” në Gjilan.
Po ashtu Naim Musliu thotë se pikë me rëndësi do të jetë edhe arkivi privat i Lidhjes dhe dispozitat për ruajtjen dhe shfrytëzimin e tij.
“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan do të konsolidojë Arkivin Privat të Lidhjes (APL), i cili do të ruhet në objektin e saj ose në mjedise të Arkivit Ndërkomunal të Gjilanit. Përgjegjës për realizimin e procedurës së arkivimit të dokumenteve do të jenë Kryetari dhe Sekretari. Funksionimi i APL do të specifikohet përmes një rregullore të veçantë të hartuar nga Kryesia”, thotë Musliu.
Ai ka shtuar se do të merren edhe me dokumente identifikuese të anëtarësisë.
“Me qëllim institucionalizimin, verifikimin dhe subjektivizmin e anëtarëve të saj, LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan, do të realizojë pajisjen e anëtarëve me dokumente identifikuese, si dëshmi përfaqësimi zyrtar në angazhime dhe aktivitete të saj. Realizimi i këtij synimi do të bëhet me mjete individuale (pagesë e anëtarësisë – kuotizacion) ose përmes financimit të ndonjë institucioni publik ose privat”, ka thënë ai.
Për Musliun me rëndësi do të jenë edhe mirënjohjet për personalitetet të ndryshme për kontributin në çështjen kombëtare.
“Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan në bashkëpunim me institucionet e ndryshime do të nis vlerësimin dhe rivlerësimin e figurave historike kombëtare shqiptare duke i propozuar institucioneve mirënjohje në formë dekorate për merita historike. Në fokus të këtij synimi do të jenë sidomos figurat kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Gjilanit dhe Anamoravës”, ka thënë tutje Musliu
Kujdes do ti kushtohet po ashtu edhe botimeve të veçanta, bashkëpunimeve si dhe aftësimeve të kuadrove profesionale.
“LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan përveç që do të bëjë përpjekje për të botuar përmbledhjet nga aktivitetet shkencore, do të jetë shtysë dhe mbështetje e studiuesve në botimin e veprave të tyre nën siglën e LHK “Ali Hadri” apo edhe duke dhënë ndihmë profesionale në përgatitjet për botim”, ka thënë ai.
Kur jemi te bashkëpunimet, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, veç bashkëpunimit themelor me Kryesinë Qendrore të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, bashkëpunëtorë kryesor për realizimin e projekteve të saj do ta ketë edhe Komunën e Gjilanit, Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, Drejtorinë e Kulturës në Gjilan. Do të bashkëpunojë me projekte rajonale edhe me komunat tjera si të Kamenicës, Vitisë dhe Novobërdës apo edhe me ndonjë komunë tjetër.
Bashkëpunime profesionale do të bëjë me Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” në Gjilan, Institutin e Historisë në Prishtinë, Institutin Albanologjik në Prishtinë, Institutin Arkeologjik të Kosovës, Muzeun Komunal të Gjilanit, Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Gjilan, Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Arkivin Ndërkomunal të Gjilanit, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, Bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan etj. Realizimi i këtij bashkëpunimi do të bëhet përmes hartimin të marrëveshjeve, memorandumeve dhe hartimit të projekteve individuale ose të përbashkëta.
“Një rëndësi të veçantë në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Gjilan LHK “Ali Hadri” dega Gjilan, do të ia kushtoj mësimit të Historisë nëpër shkolla fillore dhe të mesme, duke nxitur kështu nxënës të interesuar për të studiuar historinë. Ky bashkëpunim mund të realizohet përmes organizimit të kuizeve të ndryshme, përmes tryezave të ndryshme bashkëbiseduese dhe përmes krijimit të rrjetit të përbashkët të krijuar nga mësimdhënësit e historisë që të bashkëpunojnë për realizimin sa më të mirë të plan-programeve mësimore siç kemi të bëjmë tani me kurrikulën e re shkollore”, ka thënë Musliu.
I pari i Lidhjes së Historianëve në Gjilan tha se synim kanë edhe aftësimin e kuadrit profesional, LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan do të angazhohet maksimalisht për aftësimin, përforcimin dhe shkollimit e anëtarëve të saj në të gjitha ciklet e studimeve (bachelor, master, doktoraturë). Realizimi i këtij synimi do të bëhet në përputhje të plotë me dispozitat juridike dhe profesionale të institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj.
Ndërsa, kur jemi te aktivitetet shkencore si: simpoziume, tribuna, tryeza e akademi, do të organizohen vetëm për figurat kryesore kombëtare të Gjilanit historik dhe për ngjarje të rëndësishme të kësaj treve, që kanë shënuar kthesa të mëdha në historinë kombëtare shqiptare.
Simpoziume shkencore:
Gjilani e rrethina në vitet 1912-1945;
Gjilani e rrethina në vitet 1946 – 1999;
Arsimi në Gjilan dhe viset përreth nga lashtësia deri më 2008. Trashëgimia kulturore e Gjilanit 1912 – 1980;
Kultura në Gjilan nga lashtësia deri në vitin 2008.
Musliu ka folur për 2LONLINE edhe në lidhje me Kalendarin Vjetor. Nga ky Propozim-Program i përgjithshëm, LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan do të krijojë kalendarin vjetor për të kujtuar të gjitha ngjarjet dhe personalitet kombëtare në periudha të ndryshme historike.
“Për këto katër vite do të fokusohemi në përvjetor jubilarë të lindjeve apo vdekjeve të heronjve, dëshmorëve, martirëve e të rënëve dhe në përvjetorë jubilarë të ngjarjeve me rëndësi historike”, ka thënë ndër tjerash, Naim Musliu, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Gjilan.
Përndryshe ja edhe disa pika tjera të rëndësishme për LHK “Ali Hadri” – Dega në Gjilan.
o Rëndësi të veçantë do të ketë edhe angazhimi në institucionet komunale që të na sigurohet një zyre ku LHK dega në Gjilan të mund t’i realizoj detyrat e saj.
o Pjesë e programit do të jetë edhe mbrojtja e hapësirave me karakter historik të qytetit dhe në fshatra nga shkatërrimi i tyre dhe do të reagojmë në rast dëmtimi të tyre.
o LHK dega në Gjilan do të sheh mundësinë për themelimin dhe organizimin e Revistës shkencore të LHK-së në fushën e historisë.
o LHK dega në Gjilan do të hartojë projektin për përgatitjen për shtyp të Fjalorit historik të Gjilanit.
o LHK dega në Gjilan do të angazhohet që të bëjë kontrollimin dhe korrigjimin e dokumentit për zëra mbi personalitete dhe ngjarje, emrave të rrugëve dhe shesheve nëse ato shtrembërohen ose vendosen padrejtësisht.
o Po ashtu LHK dega në Gjilan do të vazhdojë me kërkesa për ngritjen e shtatoreve e busteve në qytet dhe fshatra të personaliteteve të ndryshme historike.
o LHK dega në Gjilan do të merr hapa konkrete që Flakës së Janarit të iu shtohet edhe ora e historisë dhe të jetë e përvitshme.
o LHK dega në Gjilan do të kërkojë nga organet komunale që në gjitha komisionet që kanë të bëjnë me fushën e historisë të kenë përfaqësim në këto organe.
o LHK dega në Gjilan do të bëjë projekte për të përgatit dokumentar të ndryshëm për heronj e atdhetar e ngjarje të ndryshme historike të komunës së Gjilanit
o LHK dega në Gjilan do të merr iniciativë për vendosjen e pllakave në shtëpitë e ndryshme dhe vendet e ndryshme në Gjilan dhe më gjerë për të shënuar historikun e atyre vendeve të rëndësishme për Historinë e komunës së Gjilanit.
o LHK dega në Gjilan do të angazhohet që të zhbllokohet procesi i botimit të Monografisë së Gjilanit dhe të rishqyrtojë në organet e saj përmbajtjen e kapitujve nga fusha e historisë, para se të bëhet botimi përfundimtar.
o LHK dega në Gjilan do të angazhohet që përgatisë ekspozita të ndryshme me karakter historik për ngjarje dhe figura të rëndësishme kombëtare.
o LHK dega në Gjilan do të angazhohet që me shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së të filloj grumbullimin e materialeve të ndryshme me qëllimi hartimin e një monografie me memoaret e luftëtarëve të UÇK-së që i takojnë ZOK-ut.
o LHK dega në Gjilan do të bashkëpunojë me fshatra dhe do të kontribuoj në hartimin e monografive të tyre.