Më 23/12/2017 në Gjilan u mbajt me sukses “Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2018” për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII. Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan Bardhyl Syla, tha se Komuna e Gjilanit dhe DKA, gjithnjë do të jenë të gatshme të përkrahin organizimet e këtilla të dijes. Muhib Lohaj kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës (SHMK) tha se Gjilani shquhet për organizime të mira të garave dhe suksese të larta të nxënësve gjilanas.
Shkruan Festim Shkodra, koordinator i OMGJ 2018
Më 23/12/2017 u mbajt Olimpiada e X Matematike e Gjilanit – OMGJ 2018, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Kjo është një garë për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII dhe u mbajt nën përkujdesjen e DKA-së në Gjilan. Në OMGJ – 2018 morën pjesë rreth 80 pjesëmarrës. Këtë here, e veçanta këtyre olimpiadave matematike komunale është se po mbahen njëkohësisht në tërë Kosovën dhe se nxënësit iu nënshtruan të njëjtave teste të përgatitura nga SHMK (varësisht nga klasa që vijojnë).
Olimpiadën e hapi Bardhyl Syla, drejtor i DKA-së në Gjilan. Ai i përshëndeti të pranishmit në emër të Kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, DKA-së dhe të vetin. Ku e vlerësoi këtë aktivitet garues në fushën e matematikës si shumë të rëndësishëm dhe domethënës për shoqërinë tonë. Duke potencuar se në komunën tone, organizimi dhe mbajtja e garave të matematikës dhe të lëmive tjera, është bërë traditë dhe pjesë institucionale, duke reflektuar kjo me rezultate të vazhdueshme nga nxënësit tanë. Ai premtoi se komuna e Gjilanit dhe DKA tani e në të ardhmen, brenda mundësive institucionale që kanë, do të ofrojnë mbështetje për këto organizime. Ai poashtu lavdëroi koordinatorin e kësaj olimpiade Festim Shkodra, anëtarët e komisioneve punuese të olimpiadës, si dhe të gjithë mësimdhënësit tjerë që po bëjnë një punë jashtëzakonisht cilësore, të mirë dhe të palodhshme .
Në këtë olimpiadë prezantuan edhe përfaqësues të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës (SHMK-së), profesorë të FSHMN-së në Prishtinë. Në emër të tyre një fjalë rasti mbajti Muhib Lohaj kryetar i SHMK-së. Ai çmoi lart organizatorët e kësaj olimpiade dhe mësimdhënësit e Gjilanit, që kanë kontribuar në vazhdueshmërinë e organizimit të këtyre garave të matematikës si dhe DKA-në dhe Komunën e Gjilanit që për vite me radhë kanë përkrahë organizimin e garave të tilla si dhe kanë ndihmuar udhëtimin në IMO të fituesve nga Gjilani. Kështu ai tha se Gjilani është një shembull për së miri edhe për komunat tjera. Ai theksoi se SHMK pos tjerash, ka për synim organizimin sa më cilësor të përvitshëm të olimpiadave matematike komunale dhe republikane. Ku shtoi se jemi dëshmitarë të efekteve pozitive të olimpiadave matematike në Kosovë. Sepse pjesëmarrës të olimpiadave paraprake janë student të dalluar në Departamentin e Matematikës, që me sukses të shkëlqyeshëm i kanë përfunduar studimet e matematikës. Madje, disa prej tyre janë duke studiuar dhe po studiojnë në universitete të famshme jashtë vendit si p.sh. në Kembrigj, Bon, Mynhen, Paris, Tokio etj. Ai përmendi se për dy vite radhazi, ekipi i Kosovës në IMO fitoi medaljen e bronztë dhe me këtë vendi ynë u rangua shumë më lartë se që ishte më parë. Ai tha se është i bindur se garat e matematikës i japin impuls përmiresimit të gjendjes së matematikës në Kosovë, rritjen e kuadrove si dhe ngritjen e nivelit të njohurive të nxënësve, nga kjo fushë.
Me një fjalë rasti u paraqitën edhe profesori i mirënjohur i matematikës Sabri Tahiri, drejtori i gjimnazit mikpritës Bekim Mustafa si dhe koordinatori i kësaj olimpiade Festim Shkodra.
Profesori Sabri Tahiri e lavdëroi organizimin cilësor dhe korrekt, të këtyre garave në komunën e Gjilanit, si dhe i inkurajoi garuesit me këshilla përkatëse, se si të japin ata më të mirën nga vetja në këtë garë dhe në mësimin e matematikës në përgjithësi tani dhe në të ardhmen për të arritë suksese sa më të larta.
Bekim Mustafa, drejtori i gjimnazit mikpritës, ju uroi suksese garuesve si dhe theksoi që brenda mundësive që kanë si shkollë kanë bërë të gjitha përgatitjet e mundshme për një rrjedhë sa më të mire të kësaj olimpiade. Ai potencoi poashtu punën e madhe që po bëhet në këtë gjimnaz, që reflekton edhe me sukseset e mëdha që po arrijnë nxënësit e tij, duke e shndërruar atë në shkollë elite të Kosovës e më gjerë.
Koordinatori Festim Shkodra iu tha garuesve prezentë se të gjitha ata janë fitues, sepse kanë arritë deri këtu me punë dhe angazhim të madh, si dhe ju uroi sukses me dëshirën që edhe ekipi fitues i sivjetëm të vazhdoj traditën dhe të na përfaqësoj sa më mire jo vetëm në OMK 2018 por edhe në olimpiadën botërore IMO 2018. Ai poashtu theksoi nevojën për përkrahje sa më të madhe institucionale për këta fëmijë, sepse ata do të jenë në të ardhmën faktor me rëndësi në të gjitha fushat, për zhvillimin e komunës sonë dhe Kosovës. Sepse talenti që posedojnë ata, ua mundëson atyre që në të ardhmen të bëhen ekspertë tejet të përgatitur jo vetëm në matematikë por edhe lëmi të tjera.
Për garuesit, anëtarët e komisioneve punuese dhe mysafirët e rastit, DKA organizoi një drekë në konviktin e nxënësve dhe nxënësve dhe studentëve ne Gjilan. Në këtë takim temë kryesore ishte matematika dhe problematikat e mësimdhënies dhe mësimnxënies së saj.
Olimpiadën Matematike të Gjilanit – OMGJ 2018, këtë herë e ndihmuan edhe kompanitë: “GanDizajn”, “ADEA Group”, “EFEKOS”, “LINDA Group, “SyriMobile House”, “DURRËSI”, “MALI” si dhe Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK) dhe profesori I mnatematikës Xhevat Krasniqi. Në saje të kësaj përkrahjeje, organizatori arriti që nxënësit më të mirë t’i shpërblej me mirënjohje, medalje, libra të matematikës, enciklopedi, kalkulatorë shkencor etj. Me mirënjohje për pjesëmarrje u shpërblye edhe çdo garues. Pos nxënësve fitues, në shenjë mirënjohje për punën e tyre, do të shpërblehen me mirënjohje dhe libra edhe mësimdhënësit e nxënësve fitues. Po ashtu me mirënjohje u shpërblyen edhe mësimdhënësit e angazhuar në komisione të ndryshme pune në olimpiadë, si dhe kontribuesit që ndihmuan në mbarëvajtjen e kësaj olimpiade.
TV VALI, edhe sivjet bëri prezantimin mediatik të kësaj ngjarje, gjë që sipas organizatorëve, po ndikon mjaft shumë në rritjen e interesimit të nxënësve për pjesëmarrje dhe popullarizimin e matematikës në përgjithësi.
Përkrahja e këtillë e vazhdueshme e DKA-së në Gjilan, vullneti i madh për punë i mësimdhënësve të matematikës të Komunës së Gjilanit si dhe vullneti për dije i nxënësve tanë, po bën që Gjilani të shquhet me rezultatet e arritura nga nxënësit përfaqësues të saj në vend e më gjerë. Sepse garat e vazhdueshme që po mbahen, me standarde mjaft të larta po bëjnë që nxënësit tanë të kaliten në fushën e matematikës gjithnjë e më tepër.
Në këtë olimpiadë, ku morën pjesë nxënësit më të mirë në fushën e matematikës, të klasave IX, X, XI dhe XII nga të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit, 12 më të mirët u shpallën:
Klasa e IX
1. ERA SYLA nga SHMU “Selami Hallaqi” në Gjilan
2. ART HAJDARI nga SHMU “Abaz Ajeti” në Gjilan
3. RINESË MORINA nga SHMU “Skënderbeu” në Përlepnicë
Klasa X
1. BARDH MUSTAFA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
2. DON HOXHA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
3. PUHIZË JANUZI nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Klasa XI
1. DRILON MORINA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
2. RREZART SHKODRA nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
3. AURITA MUJI nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Klasa XII
1. LIRAK RUSHITI nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
2. ENDRIT MUJI nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
3. ERION BAJRAMI nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
Këta nxënës, fitues të OMGJ 2018, do ta përfaqësojnë Komunën e Gjilanit në Olimpiadën Matematike të Kosovës OMK 2018, që do të mbahet më 27/01/2018 në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë, në organizim të SHMK-së (Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës). Në OMK 2018 zgjedhen nga 5 më të mirët e secilës prej klasave (pra gjithsejt 20 nxënës). Pastaj, pas përgatitjes disa mujore që do tiu ofrohet këtyre nxënësve, ata do të i nënshtrohen një testi seleksionues final, me detyra të njëjta për të gjithë. Në bazë të suksesit të treguar në këtë test final zgjedhet ekipi i Kosovës prej 6 më të mirëve. Ky ekip do të merr pjesë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare IMO 2018, të 59-tën me radhë, që sivjet mbahet më 3 -14 korrik 2018 në qytetin Cluj-Napoka të Rumanisë. IMO është për fushën e matematikës analoge me Lojërat Olimpike Botërore në sport.
Gjilani më parë pos vendeve të para në nivel vendi dhe kombëtar, disa herë arriti të kishte përfaqësues nëpër Olimpiadat Matematike Botërore si dhe i solli Kosovës medaljen e parë olimpike nga këto gara. Shpresojmë që edhe sivjet, matematikanët e rinj gjilanas, të arrijnë të fitojnë në OMK 2018, si dhe të bëhen pjesë e ekipit të Kosovës, që do të marrë pjesë në IMO 2018 në Rumani, si dhe të na sjellin medalje nga atje!…
Suksese!…