/2L ONLINE/ – Nevzad Isufi, nga Lëvizja Vetëvendosje, Shef i Grupit të Këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka folur për braktisjen e seancës së fundit, duke thënë se kishte plotë arsye për ta bërë një gjë të tillë dhe kjo nuk kishte të bënte aspak me të ndikuarit nga PDK-ja, subjekti tjetër opozitar, që po ashtu braktisi seancën.
“ Jo, kjo s’ka të bëjë, asgjë me të ndikuarit nga një veprim i një subjekti tjetër. Dihet se PDK edhe hera të tjera ka braktis seanca e ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë” ka thënë Isufi, për të sqaruar se braktisja e seancës së fundit nga anëtarët e Vetëvendosjes ka qenë veprim i tyre i pavarur i ndërmarrë për shkak se janë ndier të injoruar.
Ai tha se janë injoruar, rekomandimet e Lëvizjes nuk janë trajtuar nëpër komitete, përgjatë seancës nuk ka pas trajtim të barabartë të anëtarëve ët Kuvendit, dikujt iu është dhënë fjala nga tri e katër herë, e dikujt vetëm njëherë, edhe është qortuar nga kryesuesja. Ai mori edhe shembullin e tij, ku tha se deri sa shefi i Grupit të LDK-së ka folur edhe nga tri e katër herë, ai ka folur vetëm njëherë, dhe ka ndërhyrë kryesuesja. Ajo tha se edhe qëndrimi korrekt i kryesueses, përgjatë ecurisë së seancës, nuk shihet askund, ndërhyrjet e saja në fjalët e anëtarëve të Kuvendit (të opozitës), e toni i fjalëve të saja, nuk është ai që duhet të jetë.
“Nëse kryesuesja do rregull strikt, atëherë duhet t’i përmbahet rregullores së punës së KK-së”, ka thënë Isufi, për të shtuar se kryesuesja ose po vije pa përgatitur, ose nuk po e merr seriozisht udhëheqjen e seancave të KK-së. /2L ONLINE/