(2L ONLINE) – Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan mbajti sot konferencë për media për t’i paraqitur problemet që përmban brenda vetit buxheti i Komunës i planifikuar për vitin e ardhshëm. Asambleisti i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal, Nevzad Isufi, tha se buxheti është një nga çështjet më thelbësore të Komunës, prej nga varet edhe suksesi eventual, vazhdimi i degradimit apo ngecja.
“Po i afrohemi punës njëvjeçare të Kuvendit Komunal, e ndërmjet pozitës dhe opozitës nuk ka pajtim për borxhet e Komunës. Sipas pozitës janë afër 9 milionë, ndërsa sipas një pjese të opozitës që ishte në pushtet në mandatin e kaluar, janë më pak se 4 milionë euro borxhe. Pra, sa borxhe ka Komuna? Kujt i ka borxh? A janë ata persona fizikë apo juridikë? Cili është afati i kthimit të këtyre borxheve? – Janë këto pyetje për të cilat ende nuk kemi marrë përgjigje. Kjo për shkak se duket që kemi një “pakt” ndërmjet Komunës dhe borxhlinjve – asnjëri se tregojnë njëri-tjetrin”, tha Isufi.
Ai shtoi se raportimet financiare që po i bën qeverisja komunale, janë raportim uniformë, si ai i pushtetit të kaluar.
“Këtë e vërtetojnë edhe auditimet, e sidomos auditimet e jashtme, të cilat vazhdimisht kanë dhënë vërejtje të njëjta, ngase nuk ka asnjë përmirësim të gabimeve të kaluara. Këtu nuk po flasim për premtimet, për prioritet të cilat aq shumë është folur nga pozita, sepse ato janë të gatshëm t’i demantojnë nga përvoja e tyre secili qytetar i Gjilanit, por po flasim për shifra, numra konkretë”, tha ndër të tjera Isufi. /2L ONLINE/