/2L ONLINE/ – Fjala e plotë e Nevzad Isufit, shefit të grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në asamblenë Komunale të Gjilanit, e paraqitur në seancën e sotme, në çështjen që kishte të bënte me raportin e punës Janar-Dhjetor 2015, të Kryetarit të Komunës *** Z. kryetar i komunës raportet vjetore të punës duhet tëjënë një çështje me rëndësi, për shkak se kemi përmbylljen a rrumbullakësimin e një viti qeverisjeje, prandaj mendoj si ju ashtu edhe të gjithë ne si anëtarë të Kuvendit do të duhej t’i kushtonim një vëmendje të veçantë, po sigurisht që edhe qytetarët do të jenë kureshtarë të dëgjojnë e të shohin se çfarë kanë bërë të zgjedhurit e tyre për një vit. Nga kjo që ne kemi të shkruar del se ajo që është raport juaji personal nuk kemi më shumë se 3 faqe tekst në mënyrë të përgjithësuar, ndërsa nga kjo më tepër se gjysma e kësaj përmbajtjeje i kushtohet planeve të së ardhmes, pra planeve strategjike dhe donatorëve të jashtëm të cilët priten të vijnë, ndonëse ne kaherë jemi në pritje të tyre por deri me tash ata nuk kanë ardhur. Pra fjala është për Qeverinë zvicerane nga e cila u pritka të bëjë rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit për të gjitha fshatrat. Pastaj përmendet Komisioni evropian dhe tri projektet e saj si Biblioteke a Gjilanit, pastaj çerdhja në Dardani nga Qeveria Amerikane , çerdhja në shkollën “Abaz Ajeti” nga Qeveria Turke etj. Pra këto dhe projektet për hyrj-daljet në tri anët e qytetit, trajtimi i ujërave të zeza, autostradat etj., janë vetëm plane z. Kryetar, por nuk është dashur të jenë pjesë e raportit për punët e kryera për vitin 2015. Por si duket është bërë si traditë në këto raporte pune, sa herë që nuk kemi çka të themi për punët e kryera ose të pakryera, t’i kushtohemi së ardhmes, sepse përndryshe s’na mbetet shumë për të thënë. Zyra ligjore Në faqet 42-43 të planit të punës për periudhën e vitit 2015 të Kuvendit të Komunës, është paraqitur aktiviteti u Zyrës ligjore, ku ato janë gjithësejt 1076 aktivitete, ndërsa në formë të një tabele ku kemi gjithësejt 36 aktivitete, por pa ndonjë koment ose sqarim të tyre. Mangësitë e raportit për zyrën ligjore janë: Janë organizuar 10 debate –dëgjime publike por fare nuk jepen të dhëna se cilat kanë qenë çështjet e debatit. Nëse kanë qenë projektet e rregulloret përkatëse është dashur që në seancën e KPF dhe Kuvendit të komunës konformë udhëzimit administrative për transparencën në komuna , domosdo duhet të paraqitet raporti i cili përmban çështjen e debatit, numrin e të pranishmëve, vërejtjet, propozimet, të cilat janë të pranueshme dhe të papranueshme e pastaj koha e mbajtjes vendi etj. Në të gjitha seancat e KPF dhe Kuvendit në të cilat janë shqyrtuar projektet e rregulloret,fare nuk është paraqitur ndonjë raport për ecurinë e zhvillimit të debateve. KPF dhe eventualisht ndonjë komitet tjetër përkatës fare nuk i ka paraqitur raport Kuvendit të Komunës me rekomandime për çështjet për të cilat është zhvilluar debat. Komisioni statutar dhe për akte tjera normative i Kuvendit të Komunës, i themeluar në vitin 2014, me miratimin e ndryshimeve statutare ka ndërprerë punën, gjë që është e papranueshme. Ai është dashur të vazhdojë punën dhe t’i shqyrtojë projektet e të gjitha rregulloreve dhe akteve tjera normative, të cilat i shqyrton dhe miraton Kuvendi i Komunës. Në tabelën e Zyrës ligjore fare nuk paraqiten të dhënat e kontratave civile në Gjykatën themelore në Gjilan. Sipas një raporti të Komunës të datës 22janar 2014, detyrimet kontigjenteve kanë qenë 290,3510 €. Numri i lëndëve gjyqësore në procedurën kontestimore-kërkesat në të holla, në të cilat Komuna e Gjilanit paraqitet në cilësinë e të paditurës kanë qenë 126. Ashtu që këto konteste fare nuk trajtohen nga kjo zyrë. Udhëheqësi i Zyrës Ligjore rregullisht është i pranishëm në seancat e KPF-ës dhe të Kuvendit të Komunës, në punime të të cilave janë të pranishme shkeljet drastike të rregullave ligjore dhe të atyre nënligjore, duk e nisur nga mos respektimi i vazhdueshëm i afatit për dërgimin e njoftimeve për seancat e KPF dhe të Kuvendit. Është e pranishme mungesa e materialeve sipas rendit të ditës. Shqyrtimi i projekt vendimeve për emërimin e përbërjeve të komiteteve dhe të komisioneve të Kuvendit të Komunës, në KPF pa emrat e anëtarëve të këtyre trupave ndihmëse të Kuvendit, është një dukuri negative e pranishme që nga seancat e para të Kuvendit dhe vetëm kohëve të fundit ka një përpjekje për ndryshim. Madje janë të pranishme shumë e shumë shkelje tjera të rregullave ligjore dhe nënligjore. Kjo Zyrë është kompetente dhe është ajo e para, e cila duhet dosmsdo të ndërhyjë për të penguar mos respektimin e parimit të sundimit të ligjit. Departamenti i Prokurimit Aktiviteti i këtij departamenti trajtohet në fq. 40-41 të raportit të punës së Kryetarit të Komunës për periudhën janar – dhjetor 2015. Në tabelën e aktiviteteve të prokurimit për periudhën raportuese janë paraqitur 185 aktivitete, 83 kontrata të nënshkruara, por nuk është paraqitur e dhëna shumë e rëndësishme shuma e përgjithshme e mjeteve të investuara dhe të shpenzuara. Mangësitë në punën e prokurimit janë: Si në këtë vit edhe në vitin e kaluar në vendimin e buxhetit për vitin 2015, fare nuk kanë qenë të përfshira këto aktivitete e as vlera e tyre, as parametrat themelor e as lokacioni, me siguri për këto projekte vendosin drejtorët dhe këto ia dërgojnë për procedure të mëtejshme Departamentit të prokurimit. Në këtë mënyrë është anashkaluar Kompetenca e Kuvendit të Komunës që me vendim të përfshihen të gjitha projektet. Edhe pse drejtori i tashëm i Drejtorisë së Financave pat premtuar që këtë vit projektet e vitit të ardhshëm do të përfshihen me vendimin për buxhetin e viti 2016, por praktika e vjetër është përsëritur. Që nga viti 2008, që kur ka hyrë në fuqi LVL, duke përfshirë edhe vitin 2015, asnjëherë nuk është respektuar neni 52.2 I LVL, i cili në mënyrë të saktë përcakton se KPF është përgjegjëse për shqyrtimin e planit vjetor të prokurimit, e pastaj atë e miraton Kuvendi i Komunës. Pra në rastet e këtilla është anashkaluar KPF-ja dhe Kuvendi. Një veprim i tillë i jep mundësi drejtorit dhe Departamentit të prokurimit dhe Kryetarit të Komunës për manipulime. Në aktivitetet e Prokurimit nuk është përfshirë aktiviteti-projekti “Rrugët e rendit të tretë”, ku në 26 fshatra janë paraparë rregullime të rrugëve të rendit të tretë në gjatësi prej 70 km. Ne konsiderojmë se menjëherë pas miratimit të buxhetit, patjetër është dashur që Departamenti për prokurim ta hartoj dhe ta dërgoj në shqyrtim Planin vjetor të Prokurimit për vitin 2016, KPF-ëse pastaj Kuvendit të Komunës për shqyrtim dhe miratim. Pra plan vjetor i Prokurimit deri më tash nuk është shqyrtuar në KPF dhe as është miratuar në Kuvend. Njësia e personelit Në fq. 31 në një gjysmë të saj të raportit të Kryetarit të komunës së Gjilanit për vitin 2015, janë paraqitur 126 aktivitete të kësaj zyreje, por vetëm në mënyrë të përgjithësuar dhe numerikisht por pa ndonjë koment. Në krahasim me numrin e kontratave në vepër të paraqitura në raportin e Kryetarit të Komunës në raport me periudhën janar-shtator, në këtë raport vjetor ky numëri kontratave është shtuar edhe për 68 kontrata, kështu që numri i përgjithshëm i kontratave në vepër arrin shifrën 313. Si për aktivitet tjera edhe për këtë nuk kemi asnjë koment. Botërisht dihet se me anë të këtyre kontratave me të madhe Kryetari i komunës dhe bashkëpunëtorët e tij e bëjnë punësimin e simpatizantëve dhe të farefisit të LDK-ës në shërbimin civil komunal, gjë që paraqet shkelje flagrante të rregulloreve të Ligjit për shërbyesit civil. Ne vazhdimisht ju kemi dëgjuar si keni kritikuar udhëheqjen e kaluar, por Ju e keni përshkallëzuar edhe më shumë këtë dukuri dhe ku ta dish sa do të jenë këto shifra deri në fund të mandatit tuaj qeverisës. Drejtoria e Shërbimeve Publike Infrastrukturë dhe Banim Në fq. 21-23 të raportit të Kryetarit të Komunës për vitin 2015, është trajtuar aktiviteti i Drejtorisë komunale për shërbime publike. Në renditjen e aktiviteteve të kësaj drejtorie paraqitet sinjalizimi vertikal e horizontal, numrizimii objekteve nuk përmenden fare, lokacionet, rrugët dhe lagjet e as jepen shumat e shpenzuara të mjeteve financiare. Po ashtu edhe te projekti i sanimit dhe ndriçimit publik në fsh.e Komunës së Gjilanit nuk paraqiten vendet-fshatrat dhe shuma e mjeteve të shpenzuara. Projekti-rrugët e rendit të tretë 72 km në fshatra dhe dhe 82 km rrugë të renovuara dhe të shtruara fare nuk jepen fshatrat ku janë ndërtuar këto rrugë e as kostoja financiare e tyre. Në Fq. 72 të raportit paraqiten tabela 6 projektet tjera, asfaltimi i rrugës në lagjen Zabeli i Sahit Agës. Për këtë projekt paraqitet çmimi financiar, por nuk jepet gjatësia e saj. Po ashtu edhe në vazhdimin e kësaj tabele paraqiten edh 12 projekte të rrugëve, prej të cilave 5 projekte në realizim e sipër dhe 7 projekte të realizuara. Për secilin projekt veç e veç paraqitet edhe çmimi financiar, por jo edhe gjatësia e tyre. Në tabelën 7, Projektet e kanalizimeve paraqiten 4 projekt edhe kostoja e tye financiare, por nuk paraqitet gjatësia e rrjetit veç e veç, për secilin projekt. Në këtë pjesë të raportit përmenden edhe këto aktivitete; caktimi i lokacionit të ri të varrezave të qytetit, ndërtimi i kolektorëve të ujërave fekale në qytet fshatra, zbatimi i planit të mobilitetit në trafik. Caktimi i vendit dhe rregullimi i tregut të kafshëve. Caktimi i vendit dhe rregullimi i vendit të druve dhe rërës. Ndërtimi i autoparkut për vendosjen e makinave të aksidentuara dhe të tjera që tërhiqen të parkingut të gabuar. Këto aktivitete vetëm në mënyrë të përgjithshme janë paraqitur, pa ndonjë të dhënë konkrete për t’i kuptuar anëtarët e e Kuvendit dhe opinion më i gjerë gjë që është në kundërshtim me parimin e transparencës. Natyrisht të gjitha këto që përmenda së fundi pra mbesin edhe më tutje për periudhën e ardhshme, prandaj nuk është dashur të përmenden sepse janë projekte sfiduese për Drejtorinë dhe nuk do të duhej përfshirë në këtë raport sepse janë plane të së ardhmes. Pra projekte të pa filluara ende. Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë Aktiviteti i kësaj Drejtorie është përfshirë vetëm në dy fq.24-25 të Raportit të Kryetarit të Komunës, në të cilin paraqiten aktivitetet e saj në shtimin e sipërfaqeve tokësore të të mbjellurave me kulturën e grurit dhe misrit, si dhe në shtimin e numrit të krerëve të lopëve qumështore dhe shoqërive të bletëve. Bujqit e komunës së Gjilanit kanë përfituar subvencione nga skema e MBZHR dhe skema e granteve të saj, me ç’rast janë realizuar disa projekte nga Komisioni Evropian si dhe nga organizatat qeveritare të Turqisë. Vlenë të theksohet se në vitin raportues ka filluar realizimi e implementimi i projektit të rrugëve fushore dhe në këtë projekt është investuar shuma prej 81.154.00 eurosh. Ndonëse në këtë raport të kësaj drejtorie nuk kemi të paraqitura të dhëna në mënyrë tablelare, për mendimin tonë kemi më shumë qartësi, sepse janë dhënë edhe shifrat e shpenzuara për aktivitete të ndryshme, gjë që e bënë këtë raport më transparent. Zyra për Integrime Evropiane Në fq. 39 të Raportit të Kryetarit të Komunës për vitin 2015 kemi 8 rresht, ku është pasqyruar aktiviteti nëntëmujor i Zyrës për Integrime evropiane. Në mungesë të të dhënave relevante nuk mund të vlerësohet perfomanca e kësaj zyreje në periudhën raportuese. Ka munguar si në të kaluarën edhe gjatë vitit 2015, aktiviteti i kësaj zyreje në paraqitjen dhe dërgimin e raporteve për çështjet nga kompetencat e kësaj njësie organeve të administratës komunale për shqyrtim në KPF dhe Kuvend. Bazuara në këto pak fjali të shkruara është vështirë të imagjinohet se çfarë punë paska kryer kjo zyrë për periudhën një vjeçare. Njësa për të drejtat e njeriut Në fq. 32 në gjysmë faqe të raportit të punës të Kryetarit të Komunës për periudhën janar –dhjetor 2015 është trajtuar puna e Njësisë për të Drejtat e Njeriut. Detyrë dhe komptencë e kësaj Njësie është të monitoroj zbatimin e legjislacionit për të drejtat e njeriut, në fushat për të drejtat e fëmijëve, barazi gjinore, kundër diskriminimit, kundër trafikimit me qenie njerëzore, të drejtat e komuniteteve, personave me aftësi të veçanta, përdorimin e gjuhëve etj. Ndër të tjera monitoron seancat e kuvendit të komunës dhe të komiteteve. Organizon debate e takime me organizatat vendore e ndërkombëtare të cilat merren me të drejtat e njeriut dhe për këto nuk kemi ndonjë të dhënë. Për mendimin tonë edh kjo njësi nuk është dashur të mjaftohet vetëm me promovimin e të drejtave të kategorive të ndryshme të shoqërisë, por të ketë hulumtuar e shënuar edhe rastet, shifrat e kategoritë, kur dhe sa janë cenuar këto të drejta ose kemi ngritje apo rënie në zbatimin e të drejtave të njeriut. Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit nuk kemi as edhe një fjalë për Teatrin e qytetit, sikurse ai të mos ishte pjesë e Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Mbase për shkakun se ai më shumë po mbahet nga subvencionet apo ai nuk është pjesë e kësaj njësie.