/2L ONLINE/ – Nevzad isufi, shef i Grupit të Këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në fjalë ne tij ka dhënë vlerësimin e tij dhe të subjektit që përfaqëson lidhur me raportin gjashtë mujor të kryetarit të komunës Lutfi Haziri.
Isufi ka thënë në vazhdimësi si anëtarë të Kuvendit kanë kërkuar që si drejtoritë, si trupat e Kuvendit – Komitetet të kemi plane të qarta pune, por shumica e tyre nuk kanë as i kanë pasur ato. Madje as Komiteti im KPF-ja, si komitet i obligueshëm nuk ka pasur as ka plan të punës. As Kuvendi nuk ka pasur plan serioz të punës dhe atë që e ka nuk i përmbahemi.
“Ne si anëtarë të Kuvendit të grupit opozitar, duke parë se debatimi për këto çështje po bëhet kot, patëm dhënë në formë të shkruar më se 56 rekomandime për tejkalimin e këtyre mangësive e gabimeve në punë të KPF-ës, të Komiteteve dhe të Kuvendit, të Kryetarit të Komunës, të drejtorëve dhe drejtorive komunale dhe të njësive të administratës komunale, por si rëndom, mjerisht rekomandimet tona si opozitë, për të gjitha këto çështje u mbivotuan nga pozita dhe lista e rekomandimeve nuk është shqyrtuar në Kuvendin e Komunës”, thotë isufi.
Ja fjala e plotë e Isufit
Kuvendi sot po shqyrton raportin e punë të Kryetarit të Komunës që nënkupton raportin e qeverisë komunale për këta 6 muaj të vitit 2016, prandaj nga ajo që ne kemi pasur të shkruar në këtë raport e nga ajo që u tha nga Kryetari, do të duhej të na shërbente si bazë e diskutimit të sotëm në këtë Kuvend, por nëse edhe pas diskutimit pro e kundër kësaj mbetemi në të njëjtat pozita si edhe para diskutimit , shtrohet pyetja pse bëhet dhe pse ky quhet debat. E thash këtë sepse kështu ka dalë të shumtën e herave deri më tash. Prandaj është e nevojshme që të dalim nga monotonia e diskutimeve të cilat nuk sjellin asnjë ndryshim të vetëm, sepse kështu të paktën ka ndodhur deri më tash. Shpresoj të bëjmë ndonjë ndryshim në Kuvendin e sotëm.
Është e natyrshme të gjitha punët e deritashme të Komunës e të drejtorive të saj do të duhej bazuar në planet e punës së tyre, e në anën tjetër ne e dimë dhe në vazhdimësi kemi kërkuar që të gjithë duhet të kemi plane pune, në mënyrë që të dihet pas një kohe se sa kemi arritur t’i plotësojmë këto plane, siç është rasti sot me raportin tuaj Kryetar. Ne në vazhdimësi si anëtarë të Kuvendit kemi kërkuar që si drejtoritë, si trupat e Kuvendit – Komitetet të kemi plane të çarta pune, por shumica e tyre nuk kanë as i kanë pasur ato. Madje as Komiteti im KPF-ja, si komitet i obligueshëm nuk ka pasur as ka plan të punës. As Kuvendi nuk ka pasur plan serioz të punës dhe atë që e ka nuk i përmbahemi. Shembull konkret sot vetëm dy pika të rendit të ditës janë sipas planit të punës së Kuvendit e ato janë Raporti financiar për periudhën janar –qershor dhe raporti i Kryetarit të Komunës. Të gjitha pikat tjera janë të pa planifikuara. Pra, të planifikuarat si raporti gjashtëmujor i punës i komisionit të Aksionarëve të KPL “Stacioni i Autobusve”,Raporti i punës gjashtëmujore “Ekohigjiena” e cila kohëve të fundit përpos problemeve tjera po ballafaqohet edhe me greva e protesta të punëtorëve, Raporti i auditorit të përgjithshëm për vitin 2016 për të gjeturat në Komunën e Gjilanit, Informata për përfundimin e vitit shkollor 2015/2016 edhe pse atje gabimisht figuron viti 2014-2015, sepse kur kopjohen planet kështu rrjedhin gabimet. Pra këto pika që përmenda mungojnë në rendin e ditë së punës së Kuvendit të sotëm, ndërsa janë futur pikat si këto që kemi përpara, Miratimi i Marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës së Gjilanit e komunës së Lipjanit, pastaj me komunën e Artanës, pastaj miratimi i iniciativës dhe vendimit për autorizimin e Kryetarit të komunës për bashkëpunim komunal ndërkombëtar me komunën Samsun të Turqisë në fushën me karakter administrativ teknik. Pra lihen pika të planifikuara, ku kërkohet bashkëpunim i brendshëm e që është i obligueshëm dhe futen pika që për mendimin tim nuk kanë karakter të urgjencës.
Këto forma të punës pa plan po qojnë në vazhdimin e praktikave të vjetra të dorëzimit të materialeve aty-për aty, në seanca të Komiteteve e Kuvendit, duke shkelur kështu rregulloren për dërgimin me kohë të materialeve, siç ka ndodhur edhe në seancat e fundit të KPF-ës për subvencionim të klubeve sportive, të teatrit etj.
Si rrjedhojë e këtyre gabimeve e lëshimeve të gjitha materialet e shqyrtuara në Komitete dhe në Kuvend,janë miratuar pa rekomandime dhe kështu si Komitetet ashtu edhe Kuvendi janë zhveshur nga kompetencat e tyre, duke bërë që debatet të mos kenë përfundim-konkludim.
Ne si anëtarë të Kuvendit të grupit opozitar, duke parë se debatimi për këto çështje po bëhet kot, patëm dhënë në formë të shkruar mëse 56 rekomandime për tejkalimin e këtyre mangësive e gabimeve në punë të KPF-ës, të Komiteteve dhe të Kuvendit, të Kryetarit të Komunës, të drejtorëve dhe drejtorive komunale dhe të njësive të administratës komunale, por si rëndom, mjerisht rekomandimet tona si opozitë, për të gjitha këto çështje u mbivotuan nga pozita dhe lista e rekomandimeve nuk është shqyrtuar në Kuvendin e Komunës. Ky veprim ka ndodhur për shkak të kundërshtimit të kryesueses së Kuvendit, e cila që nga fillimi i mandatit të saj, apriori ka shpërfillur propozimet e opozitës, pa i shqyrtuar ato dhe pa i hapur rrugë atyre që të debatohen në Kuvend.
Z. Kryetar në raportin tuaj, si edhe herave tjera në mënyrë të përgjithësuar keni pasqyruar punën e ekzekutivit, duke u ndaluar më tepër në atë që ju e quani sukses të qeverisjes suaj, por pa specifikuar projektet e aktivitetet konkrete e sidomos ato që lidhen drejtpërdrejtë me angazhimin e qeverisë komunale dhe projektet e rëndësishme të komunës dhe rezultatet e realizimit të tyre me kohë dhe me cilësi. Ndonëse që në fillim përmendni sfidat dhe barrierat, nuk na qartësoni cilat janë ato, a janë kaluara dhe si janë kaluar, apo edhe më tutje mbeten. Më tepër jeni fokusuar në atë që është realizuar e realizohet në bashkëpunim me organizata e donacione të ndryshme ndërkombëtare, të cilat tashmë janë të njohura edhe për opinionin për ndihmën dhe kontributin e tyre, por që janë me karakter të përkohshëm, ashtu si edhe donacionet e përmendura. Prandaj projektet konkrete si shkolla “Bajram Curri” në Shurdhan do të duhej të kishim më shumë, sepse ato që janë në proces të fillimit e ndërtimit nuk janë objekt i shqyrtimit të sotëm. Për mendimin tonë përqendrim më i madh është dashur të bëhet te projektet kapitale, projektet e rëndësisë së veçantë, te mundësitë buxhetore të realizimit të shumë projekteve të planifikuara edhe më herët se në mandatin tuaj, por që janë obligime të cilave kaherë u ka kaluar afati e ende s’janë realizuar.
Është inkurajues fakti i ndërtimit të 30 shtëpive për skamnorët, pagesa qirave të banimit për rastet sociale, projekte të realizuara përmes donacioneve vullnetare të qytetarëve që përmendi Kryetari, e që lidhen me Drejtorinë e shëndetësisë e të mirëqenies sociale, që janë një sukses i arritur, por ne si anëtarë të Kuvendit kemi kërkuar që të përgatitet një raport i veçantë për aktivitetin e këtij fondi, por në këtë kërkesë është heshtur. Lidhur me këtë çështje ne na mungojnë të dhënat se në bazë të cilit akt juridik zhvillon veprimtarinë e vet ky fond? Më konkretisht a ka statut, kush e udhëheq atë, a ka komision a ekipe? Në bazë të të cilave kritere dhe standardeve bëhet përzgjedhja e përfituesve? A shpallet konkurs? Si bëhet ekzekutimi i punimeve, mbikëqyrja, në bazë të konkursit apo pa procedurë? A bëhet dhe kush e bënë auditimin e mjeteve të fondit? Pas Përfundimit të objektit a bëhet pranimi publik dhe shtëpia a bëhet pronë e përfituesit dhe a evidentohet në kadastër? Për këtë arsye ne mendojmë se mungon transparenca e plotë lidhur me këto çështje.
Në kuadër të pjesës së raportit të Drejtorisë së Shëndetësisë janë edhe dy raporte tjera; Raporti i punës së QKMF dr. Nagip Rexhepi dhe Raporti i punës i Qendrës për punë sociale në Gjilan. Ne mendojmë se këto dy raporte nuk duhet të jenë pjesë përbërëse e Raportit të kryetarit të Komunës nga se këto dy institucione publike komunale kanë cilësi të personit juridik dhe duke pasur rëndësinë e tyre për qytetarët e komunës, ne me një kërkesë të veçantë i jemi drejtuar KPF-ës, që këto 2 raporte të dy institucioneve komunale të shqyrtohen si pikë të veçanta në një seancë të Kuvendit.
Drejtoria e Shërbimeve publike
Në pjesën e raportit ku trajtohet aktiviteti i DSHP, infrastruktura dhe banimi fare nuk trajtohen. Po ashtu çështja e trafikut urban, për të cilin kjo qeveri që nga fillimi i mandatit tuaj me pompozitet e keni trumpetuar nuk trajtohet fare. Prandaj ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet sa më shpejtë në një seancë të radhës të Kuvendit komunal. Në pjesën “projekti”( sepse s’po kam mundësi si t’i referohem ndryshe këtij raporti , të cilit i mungon shënimi i faqeve), Rregullimi dhe hapja e rrugëve të rendit të tretë pastrimi i Lumenjve dhe largimi i deponive, janë paraqitur disa lokacione, ku është zhvilluar ky aktivitet, por fare nuk janë dhënë parametrat e nevojshëm, sipas të cilëve ne si anëtarë të kuvendit do të ishim ne gjendje ta vlerësojmë vlerën e tyre dhe këtu nuk janë paraqitur shumat e përgjithshme në këto projekte. Po kështu qëndron puna edhe me pikat e raportit 2.2, 2.8, 2.9, 2.10, 2.11, ku janë paraqitur disa projekte për të cilat është zhvilluar aktivitet i caktuar i DSHP, por pa cekur shumën e investimeve.
Në pjesën e raportit të kësaj drejtorie ku flitet për projektet që janë duke u realizuar në bashkëpunim me Zyrën e prokurimit janë paraqitur 3 projekte, të cilat janë ne realizim e sipër, për të cilat përveç përmendjes së lokacionit dhe emërtimit të projektit, parametrat tjerë nuk janë dhënë, si gjatësia, gjerësia e rrugës, mungon shuma e përgjithshme e që do të thotë se në këtë raport mungon transparenca.
Kryetar, me rastin e marrjes së detyrës së K. të Komunës, por edhe paraprakisht në aktivitetin parazgjedhor patët premtuar se problemi i 30 më tepër vjeçar i kësaj komune, projekti i lumit Mirusha do të përfundoj, por siç po e shohim të gjithë, sidomos në këto ditë të nxehta verore, ku asgjë s’është punuar në këtë projekt e ky do të mbetet sfida kryesore edhe e kryetarit të ardhshëm të komunës. Për këtë arsye Drejtoria e Shëndetësisë ka përgjegjësi të veçantë si dhe Drejtoria për urbanizëm dhe mbrojtje të Mjedisit që të ndërmarrin masa të veçanta në evitimin e ndonjë epidemie, për shkak të ndotjes dhe ujërave të zeza, të cilat rrjedhin në shtratin e këtij lumi e që kërcënojnë sidomos banorët e shtëpive buzë dy anëve të lumit por edhe qytetarët tjerë.
Në pjesën e raportit ku flitet për Drejtorinë Gjeodezisë dhe kadastrit, aktivitet e kësaj drejtorie paraqiten në një faqe e gjysmë janë dhënë shifra të kërkesave të ndryshme dhe zgjidhja e tyre, por përkundër kërkesës sonë nuk raportohet fare çështja e uzurpimeve të pronave publike, ca prej të cilave Drejtoria e tanishme i ka gjetur të evidentuara , por nuk raportohet sa a janë zgjidhur, sa janë zgjidhur dhe a janë shtuar ato edhe më. Kjo pyetje është shtrua disa herë nga ana jonë edhe për drejtorinë përkatëse edhe në Kuvend, por përgjigja mungon. Kemi kërkuar që kjo çështje e veçantë dhe e rëndësishme për qytetarët e komunës të trajtohet edhe në KPF, në KKSB dhe në Kuvend por mbetur në letër.
Çështja tjetër e rëndësishme e cila fare nuk trajtohet e që lidhet me shkeljen e të drejtave të njeriut ka të bëjë me;
1. Shpronësimin e sipërfaqes së tokës buze lumit Mirusha tashmë 4 vjet, 20 pronarëve, por që ende nuk është bërë pagesa-kompensimi.
2. Më drastik është rasti e 82 pronarëve të tokave të shpronësuara për rrugën qarkore që nga viti 1998 me sipërfaqe prej 13 ha, që po ashtu nuk janë kompensuar dhe as që trajtohet fare çështja e tyre. Dhe siç e dimë një pjesë me të drejtë po kërkojnë zgjidhje për mes gjykatës.
Mbase nuk duhet pritur për një situatë të tillë, pas vendimeve në dobi të palëve të vij deri te bllokimi i xhirollogarive të komunës, siç ka ndodhur 4 vjet më herët.
Është shumë keq për ne si komunë , për kryetarin, ekzekutivin, KPF që deri më tash nuk kemi gjetur hapësirë e mundësi që në mënyrë të veçantë të trajtohet arsyeja e mos kompensimit. Mendojmë që ky është një rast i veçantë i shkeljes së të drejtave elementare të njeriut në Republikën e Kosovës, pra shkelja e të drejtës së pronës, që nganjëherë na pëlqen të themi se prona private është e shenjtë, po në këtë rast ku qëndron kjo shenjtëri?!
Ne kemi vërejtje e sugjerime edhe për drejtori të tjera dhe për këtë në seancën e radhës do t’i përgatisim rekomandimet tona për secilin drejtori, njësi, ndërsa ju vazhdoni t’i injoroni, si gjithë herë, pa i shqyrtuar arsyet dhe objektivitetin e tyre, me të vetmen arsye të pa arsyeshme se këto rekomandime vijnë nga opozita. /2L ONLINE/