/2L ONLINE/ – Sa i përket planit vjetor të punës së Kuvendit Komunal të Gjilanit, Nevzad Isufi, shef i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se plani përmban gjithsej 35 çështje. “Është vlerësim yni se ky plan i punës, sikurse edhe planet për vitin 2014 e 2015, janë të varfër për nga përmbajtja, sepse nuk ka çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve të komunës”, tha Isufi.
Në seancat e Kuvendit të Komunës, prej 19 çështjeve të përfshira në planin vjetor të punës, janë shqyrtuar vetëm 14 çështje.
Ai ka pasur vërejtje edhe sa i përket shqyrtimit dhe miratimit të planit të punës për vitin 2016, duke thënë se Komitetit dhe komisionet përkatëse të Kuvendit, fare nuk e kanë shqyrtuar dhe kjo praktikë e përhershme, sipas tij, është trashëguar nga e kaluara.
“Ne si opozitë kemi pasur edhe vërejtje konkrete që në këtë plan nuk janë futur shumë çështje që kanë të bëjnë me administratën e përgjithshme, rininë sportin, inspeksionin, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, bujqësinë, pylltarinë, informimin, auditimin, integrimet evropiane dhe të tjera”.
Po ashtu, nuk është organizuar asnjë debat me qytetarë dhe shoqërinë civile. Është mendim ynë se gjithëpërfshirja e qytetarëve në këtë lloj diskutimi, do të mund të nxirrte edhe çështje të tjera që nuk janë paraparë.
Si opozitë kemi vërejtjet tona për shumë çështje dhe si të tilla i kemi kthyer edhe në formë të rekomandimeve për Kuvend, por pozita nuk i ka pranuar për shqyrtim 56 rekomandimet tona, me arsyetim se janë të njëjta me ato të shoqërisë civile, ka thënë Isufi. /2L ONLINE/