“Aktakuza e propozuar nga Prokuroria Speciale ndaj luftëtarëve të lirisë, është fabrikim dhe tendencë për ta njollosur luftën e drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi”, ka thënë në reagimin e tij, Ahmet Isufi, njëri ndër ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Ja postimi i plotë:
Nuk ka aktakuzë që mund ta njollosë luftën e UÇK-së
Aktakuza e propozuar nga Prokuroria Speciale ndaj luftëtarëve të lirisë, është fabrikim dhe tendencë për ta njollosur luftën e drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi.
Kjo mënyrë e veprimit me prapavijë politike, sidomos në momentet kur pritet zhvillimi i dialogut Kosovë-Serbi, jep mesazhin e qartë për tendencën e dobësimit të pozicionit të Kosovës dhe krijimit të një klime të tensionit politik.
Për mbrojtjen e të drejtës dhe të vërtetës së lirisë për atdheun e shtetin është bërë sakrificë e madhe, prandaj nuk mundet askush ti cenojë këto vlera sublime pavarësisht synimeve dhe qëllimeve të armiqve tanë.
Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vërtetuar edhe në të kaluarën me pastërtinë e saj dhe do të vërtetohet përgjithmonë, pavarësisht tendencave dhe përpjekjeve për ta cenuar dhe denigruar atë.