/2L ONLINE/ – Thaçi president?! Jo assesi. Nuk do ta lejojmë këtë. Kështu është shprehur për Portalin 2L ONLINE, Ahmet Isufi, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas tij, Hashim Thaçi nuk mund ta luaj rolin unifikues, me që kemi të bëjmë me polarizime të mëdha politike brenda spektrit politik, me që ekziston edhe kërkesa e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit të vendit nga ana e qytetarëve.
“Ne kemi kërkuar që të ndryshohet neni për presidentin në mënyrë që të ketë zgjedhje të drejtpërdrejt nga qytetarët, të presidentit si rol unifikues i politikës dhe i qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, duke qenë se kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës të Republikës së Kosovës me marrëveshjet të cilat e dëmtojnë rëndë interesin shtetëror e qytetarë, atëherë kjo qeveri do të duhej të jap dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhjet të reja.
“Tani mendojmë se zgjedhja e presidentit është në një moment të krizës politike institucionale dhe nuk ka mundësi që të zgjidhet sepse kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës. Do të përdoren të gjitha metodat dhe mjetet, për t’u kundërshtuar zgjedhja e presidentit nga Kuvendi i Kosovës dhe se nuk do të ketë normalitet në Kuvend derisa nuk ka normalitet në territorin e Kosovës”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi. /2L ONLINE/