/2L ONLINE/ – Nevzad Isufi, Shef i anëtarëve të Kuvendit komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Kuvend Komunal i Gjilanit ka qenë mjaft anemik, ka munguar debati i mirëfilltë, i arsyeshëm, e jo rrallë edhe konstruktiv.
“Nuk janë pak anëtarë të kuvendit që nuk kanë diskutuar a debatuar asnjëherë për asnjë çështje. Kjo ndodhë edhe për faktin se shumë çështje vendosen jashtë Kuvendit, kështu që Kuvendi shërben me shumë si teatër reprizimi i një shfaqjeje ku ta dish se ku të luajtur. Prandaj në këtë formë debati i mirëfilltë nuk përkrahet, ndërsa heshtakët i japin vulë vendimeve me anë të gishtave gjatë votimit”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, ka pasur raste kur Kuvendi ka ra në lajthitje, për shkak të transparencës së pamjaftueshme qoftë nga Kryesuesja ose nga Komitete të caktuara, si është rasti me aprovimin e caktimin e lokacionit për shtëpinë e pleqve, ku gjoja një donacion nga shteti i Holandës do të investonte dhe kjo doli të ketë qenë një mashtrim.
Isufi ka thënë se me këtë rast ne si opozitë patëm kërkuar të na jepet emri i donatorit dhe dëshmitë tjera me shkrim, pos asgjë nuk na patën ofruar propozuesit-pozita.
“Po në këtë Kuvend, si në dy vitet e mëhershme edhe këtë vit, nuk na është sjellë plani i prokurimit, gjë që është një shkelje ligjore e vazhdueshme. Ne si opozitë e kemi bërë këtë vërejtje vazhdimisht, por, pozita ka heshtur dhe s’ka ndërmarrë asgjë”, ka thënë Nevzad Isufi i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/