/2L ONLINE/ – Siç dihet Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e mbajtur me 17 prill kishte vendosur që Lëvizja Vetëvendosje t’i organizojë zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet, në tërë vendin. Procesi zgjedhor ka filluar me 2 maj dhe planifikohet të përfundoj me 10 korrik. Pjesë e këtij procesi janë edhe të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.
E, për këto zgjedhje të brendshme tani më është bërë e gatshme edhe Vetëvendosje e Gjilanit. Ditë më parë, koordinatori dhe deputetit Ismajl Kurteshin, kishte deklaruar se edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan i ka bërë përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të brendshme.
Burimet e Portalit 2LONLINE, mësojnë se kemi pasur deklarime në struktura, të koordinatorit aktual të Vetëvendosjes në Gjilan, Ismajl Kurteshit, se ai nuk është i interesuar të futet në garë as për kryetar të Qendrës së Gjilanit, por as të jetë kandidat për kryetar komune, i kësaj Lëvizjeje për zgjedhjet lokale të radhës, duke hapur kështu rrugë për të tjerët.
Po ashtu mësohet se insistimi i shumicës pothuajse ka qenë, që në krye të Vetëvendosjes në Gjilan, të vije dikush nga brenda, nga strukturat e subjektit, ndërkohë që nuk ndërlidhet pozita e kryetarit me atë të kandidatit për kryetar komune.
Ndryshe, për të parin e Vetëvendosjes deri më sot, më së shumti po përmenden dy emra, që janë më të përfolur, brenda Vetëvendosjes, për të qenë në kryet të kësaj Lëvizje, Qendra në Gjilan, e ata janë Nevzad Isufi dhe Fehmi Sylejmani.
NEVZAD ISUFI
Që të dy këta janë anëtarë të Kuvendit komunal, Isufi edhe shef i Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosje. Vlerësohet se performanca e tyre në Kuvend është e mirë dhe Vetëvendosje në Gjilan e vlerëson këtë pozitivisht andaj edhe përfliten si emra të mundshëm. Edhe Isufi edhe Sylejmani, bashkë edhe me dy anëtaret tjera të Vetëvendosjes që janë në Kuvend, vlerësohen se po e kryejnë punën e opozitarit në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e përçuar qëndrimin e Vetëvendosjes në Kuvend të Gjilanit.
Natyrisht, në këtë subjekt thonë se gara do të jetë e hapur dhe nuk përjashtohen emra të tjerë, por se duhet pritur përfundimin e procesit për të parë se kush realisht do ta merr besimin për t’i prirë Lëvizjes tutje.
FEHMI SYLEJMANI
Ndryshe, strukturat aktuale udhëheqëse të Vetëvendosjes në Gjilan i kanë ftuar të gjithë anëtarët e interesuar të bëhen pjesë e këtij procesi. “Edhe ata që formalisht nuk janë anëtarë të Lëvizjes, nuk kanë libreza anëtarësie, mund të paraqiten në zyrat e qendrës së Lëvizjes në Gjilan për t’u informuar për procedurat e nevojshme për ta formalizuar anëtarësinë. Në zyrat tona duhet të paraqiten edhe ata që duan të informohen për orarin e mbledhjeve zgjedhore nëpër pika dhe në Qendrën tonë, por edhe për çka do tjetër që ju intereson”, kishte thënë Ismajl Kurteshi i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/