(2L ONLINE) – Qytetarëve të lagjes “Zabel i SahitAgës” dita-ditës po u hiqet lloçi e vadat, ngase Komuna e Gjilanit në mënyrë permanente po ua përmbushë nevojat infrastrukturore. Pas asfaltimit të gjashtë rrugicave gjatë këtyre ditëve dhe rregullimit të kanalizimit dhe ujësjellësit, sot në Zabel ka nisur asfaltimi i rrugës në gjatësi prej 900 metrash, thotë . Arbër Ismajli, shefi i Kabinetit të kryetarit Lutfi Haziri, i cili i ka vizituar sot punimet bashkë me shefin e këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, Avdyl Aliu.
Ata thanë se janë tejet të kënaqur me cilësinë e këtyre punimeve, duke u zotuar se me këtë dinamikë do të vazhdohet edhe në të ardhmen.
“Kjo që po shohim sot përkthehet me kujdes të madh të Komunës ndaj banorëve të anashkaluar të Zabelit. Që nga fillimi i mandatit e kemi pasur prioritet këtë lagje dhe në bazë të asaj që kemi punuar këtu po shihet se Zabelit po i kthehet dinjiteti, duke ua rregulluar rrugët sipas standardeve europiane. Kjo nuk është e tëra. Me këto projekte të katërshes së madhe të prioriteteve të premtuara nga kryetari Haziri do të vazhdojmë edhe në të ardhmen në këtë lagje si dhe lagjet e fshatrat tjera të Komunës së Gjilanit”, ka thënë me këtë rast shefi i Kabinetit, Arbër Ismajli.
Brenda kësaj jave në lagjen “Zabel i SahitAgës” janë asfaltuar rrugë në gjatësi prej 2.5 kilometra me të gjitha elementet përcjellëse. /2L ONLINE/