Në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Mërgatës, që organizohen nga zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, për bashkatdhetarët tanë, sonte është mbajtur performanca e aktorëve të teatrit të qytetit, “Të fala nga Gjilani”.
Nën regjinë e Ekrem Sopit, me performancën e tyre me poezi kanë shkëlqyer Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Ernest Zymberi, Safete Mustafa-Baftiu, Avni Shkodra, Tringa Hasani e Gani Rrahmani, ndërkaq për muzikë është përkujdesur Diana Toska, të cilët i argëtuan publikun e shumtë, kësaj radhe në një ambient të hapur.
Në emër të kryetarit Haziri, ngjarjen e ka shpallur të hapur nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, sipas të cilit, Gjilani tradicionalisht ka ‘vluar’ prej aktivitete kulturore, dhe në këtë vazhdë është edhe kjo për bashkatdhetarë, aktivitete këto të cilat janë mirëpritur nga publiku gjilanas.
Ndërsa, Erson Zymberi, drejtor në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ka thënë se kësaj here kanë dal nga ambientet e Teatrit dhe në një ambient të hapur, në hapësirën te argjendarët, po jepet kjo performancë “Te fala nga Gjilani”, e cila në vete përmban një përmbledhje me poezi e kënge që vijnë të artikulueme prej aktorëve të Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe prej zanit të mrekullueshëm të Diana Toska.
Sipas tij, kjo po bëhet në nderë të bashkatdhetarëve që i japin shumë dashni, jetë e plotë ngjyra qytetit tonë, e për të cilët vjen ekskluzivisht ky aktivitet. që është një vokacion artistik i krijuar për një performacë të hapur.